Rubrika “Shihemi në gjyq”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e dhimbshme të 29 vjeçarit nga Gramshi. Ai në studio rrëfeu vështirësitë që ka kaluar gjatë viteve të fundit.

Enea u dashurua me një vajzë që ishte 17 vjeç, familja e saj e refuzoi lidhjen e tyre dhe e akuzoi për përndjekje.

Pas 3 muajsh qëndrimi në paraburgim, Enea dërgohet në institucionin e vuajtjes së dënimit, pikërisht aty ku shkojnë individët që rezultojnë me probleme mendore.

Enea qëndroi aty për 27 muaj dhe rrëfen se ai ishte një vend i tmerrshëm, me kushte jashtëzakonisht të këqija.

Enea: Pasi Anila Kazaferi dërgoi raportin, mua pas 2 javësh më transferojnë në Zahari Krujë. Normal kisha dëgjuar nga të burgosurit e tjerë këtu në Elbasan, që ishte një vend i tmerrshëm, isha shumë i frikësuar të them të drejtën. Sapo hyra në portën e burgut të Zaharisë, të priste pararoja, një polic, e di si më priti? Mirë se vjen në burgun e vdekjes. Sepse atje pothuajse çdo muaj vdisnin njerëz, ose varnin veten, ose vdisnin nga një sëmundje. Atje zonja Eni janë kushtet tmerrësisht të vështira. Në një dhomë shumë të vogël jetojnë mbi 10 veta. Çarçafë, batanije nuk bëhet fjalë, janë nga ato të ushtrisë të parat, nuk ka dritare.

Eni Çobani: Ti flet për një institucion të vuajtjes së dënimit në vitin 2020, se ti ke dalë në  datën 06/02/2020. Ka kushte të tilla kaq të tmerrshme, në një institucion? Flet para një njeriu që vite më parë, unë kam qenë një njeri që e kam drejtuar vetë të gjithë veprimtarinë e këtyre institucioneve dhe i njoh shumë mirë burgjet, po unë i kam lënë në 2005, jemi në 2020 dhe të jemi po njësoj si atëherë? Kanë kaluar 15 vjet.

Enea: Kam ardhur të tregoj vetëm të vërtetën zonja Eni. Kushtet janë skandaloze, nuk ka dritare, dritaret janë me qese plasmasi. Njerëzit janë zbathur të gjithë dimrin atje. Janë 4 tualete, janë rreth 400 veta që përdorin 4 tualete. Uji vjen vetëm një orë ose 2 orë në ditë. Në tualet nuk hyn dot sepse më fal për shprehjen, por është tërë fekale dhe tërë minj. Ushqimi është shumë skandaloz. Kam punuar rreth 8 muaj në kuzhinë dhe e di si gatuhet.

Ardit Gjebrea: Si gatuhet Enea?

Enea: Kuzhina është plot me buburreca, është një papastërti e madhe, plot me minj, është një tmerr./tvklan.al