93% e viktimave kanë ndërruar jetë në spital

Që nga paraqitja e pandemisë, në Maqedoninë e Veriut, janë regjistruar 3.380 riinfektime me COVID-19 apo 1.4% nga numri i përgjithshëm i të infektuarve, tregojnë të dhënat e Institutit për Shëndetin Publik.

Të dhënat e autoriteteve të shëndetësisë thonë se janë shënuar dhe 7 riinfektime të dyta, respektivisht pacientë që për së treti herë janë infektuar me koronavirusin.

Vetëm gjatë së martës, nga gjithsej 2.269 raste të regjistruara, 310 kanë qenë riinfektime, kurse gjatë javës së kaluar janë shënuar 1.247 apo për 31.8% më shumë infektime të sërishme në krahasim me javën paraprake.

Kohë më parë, MSH-ja njoftoi se periudha më e shkurtër kur është regjistruar riinfektimi me COVID-19 në vend, ka qenë tre muaj pas shërimit nga virusi. Mesatarisht, riinfektimet regjistrohen 4 deri 5 muaj pas shërimit nga infektimi i parë. Nga riinfektimet, 10 kanë përfunduar me fatalitet.

Të dhënat e ISHP-së flasin se janë regjistruar 1.112 raste me COVID-19 tek gratë shtatzëna dhe 6.927 tek punonjësit shëndetësor. Në mesin e grave shtatzëna ka pasur 8 viktima kurse 37 punonjës shëndetësor kanë humbur jetën nga COVID-19.

Sipas të dhënave zyrtare të MSH-së, deri më 18 Janar, janë shënuar 8.139 viktima si pasojë e komplikimeve nga koronavirusi. 93% prej tyre kanë ndërruar jetë në kushte spitalore. 

Klan Maqedonia