3 deputetë britanikë në mbrojtje të shqiptares shtatzënë: Mund të vritet nëse deportohet

Tre deputetë në Norfolk të Britanisë së Madhe janë bërë bashkë kundër vendimit të Zyrës së Emigracionit (Home Office), për të mos deportuar një grua shqiptare, pasi i druhen faktit se ajo mund të vritet nëse kthehet në atdhe.

Clive Lewis, Richard Bacon dhe George Freeman besojnë se nëse nëna shqiptare, e cila ka një fëmijë dhe është në pritje të një tjetri, do të detyrohet të largohet nga Britania e Madhe, ajo mund të bjerë viktimë e vrasjes për çështje nderi.

Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, shqiptarja besohet se u largua nga Shqipëria drejt Britanisë gjatë kohës që ishte shtatzënë, rreth dy vite më parë. Ndonëse ishte integruar mirë në Norwich, aplikimi i saj për të qëndruar u refuzua, pa mundësi për ta apeluar këtë vendim.

Fundjavën e javës së shkuar, ajo u informua nga Zyra britanike e Emigracionit për vendimin që duhej të largohej dhe iu dhanë vetëm 7 ditë kohë.

“Shqipëria është një prej vendeve me përqindjen më të lartë të vrasjeve për shkak të nderit në Europë. A do ta shohë qeveria nga afër rastin e kësaj gruaje, e cila po qëndron në shtëpinë e terapistes së saj, për të ulur sa më shumë rrezikun që t’i shkaktojë dëme vetes dhe që nëse do të deportohej në Shqipëri me gjasë që të nesërmen do të mbetej viktimë e vrasjes për nder”, shtroi pyetjen deputeti britanik Bacon.

“I kam shkruar Ministrit të Brendshëm dhe e kam ngritur si çështje në parlament dhe institucioneve përkatës. Kam folur gjithashtu me Ministrin e Emigracionit dhe kam besimplotë se Clive, George dhe unë do të mund të zhvillojmë një takim që të mund të tentojmë për ta zgjidhur këtë çështje”, tha Bacon më tej duke folur për mediat britanike.

Deputeti shprehet se rreziku që kjo grua mund të vritet në Shqipëri është i madh, pasi sipas tij në disa zona rurale të Shqipërisë vrasje të tilla mbeten të larta.

“Terapistja e saj ka punuar me këtë grua për disa kohë dhe që prej rrezikut të deportimit, ajo u ofrua që ta merrte në shtëpi”.

Në artikullin e publikuar në mediat britanike, që për shkak të ruajtjes së privacisë emri i shqiptares nuk bëhet i ditur, shkruhet gjithashtu se në Shqipëri vrasjet për shkak të nderit kanë një traditë të gjatë.

Deputetët britanikë shprehen gjithashtu të shqetësuar për shëndetin e fëmijës së saj 2-vjeçar. Sipas tyre, ai nuk duhet të vihet në rrezik duke u deportuar. Sipas tyre gruas shqiptare duhet t’i jepet e drejta e saj për të qëndruar, për hir të “shëndetit të saj mendor dhe atë të fëmijës së saj”./tvklan.al

Kategori
AktualitetTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*