Rrjedha të furishme uji krijuan përmbytje të pazakonta në shkretëtirën e gadishullit arabik, që i kanë marrë jetën dhjetëra personave në Arabinë Saudite, Jordani e Kuvajt. Fuqia e ujërave mori përpara disa automjete në kryeqytetin saudit Riad duke i gjetur të papërgatitur banorët, të cilët rrallë kanë parë përmbytje të këtyre përmasave.

Vetëm në Arabinë Saudite përllogariten mbi 30 të vdekur. 11 të tjerë humbën jetën në Jordani, ku uji përmbyti disa rrugë kombëtare dhe zona të banuara. Autoritetet evakuuan mbi 4 mijë banorë të zonave të përmbytura.

Pista e aeroportit ndërkombëtar saudit të Riadit doli jashtë përdorimit. Autoritetet u zunë në befasi nga kjo situatë që detyroi banorët të gjenin vetë mënyra shpëtimi. Reshjet vijojnë prej 3 ditësh dhe kanë dëmtuar edhe shumë linja elektrike, duke lënë pa energji mijëra banorë. Përmbytje të përmasave të tilla në shkretëtirë regjistrohen 1 herë në 10 vite.

Tv Klan