Ndalohet çdo lloj qarkullimi në 8 qytete

Tirana dhe Durrësi do të vendosen në karantinë duke u ndaluar çdo hyrje dhe dalje e automjeteve private apo transporti ndërurban drejt këtyre dy zonave apo drejt zonave të tjera të vendit nga këto dy qytete.

Urdhri i qeverisë i bërë i njohur nga kryeministri Rama nis të zbatohet nga ora 6 e mëngjesit të ditës së premte deri të dielën në mesnatë.

 Por ndërkohë do të mbyllet qarkullimi gjatë këtij harku kohor privatë dhe urbanë në qytetet e Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorës.

Në të gjithë këto qytete qarkullim do të lejohet vetëm për autoambulancat, automjetet qe kryejnë funksione në shërbimin shtetëror përfshirë këtu policinë. Për të gjitha sipërmarrjet që kryejnë shërbimi transporti mallrash ushqimor apo farmaceutike në Tiranë dhe Durrës por dhe punonjësit e mediave dhe ata të aeroportit duhet të akreditojnë automjetet e transportit për çdo punonjës të tyre emër për emër në Drejtorin e Përgjithshme të Policisë së shtetit. 

Por në vendimin e qeverise saktësohet se nëse në makinat e punës së personave që do të lejohen të qarkullojnë në këto 3 ditë nuk duhet të udhëtojnë familjare apo të njohur të tyre që nuk kanë lidhje me detyrat shtetërore pasi nëse evidentohen raste të tilla do të këtë sanksione të rënda.

Për të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt aeroportit për destinacionet e lejuara për të fluturuar drejtuesit e automjeteve duhet t’i tregojnë postblloqeve të policisë biletat e fluturimit apo foton e biletave të personave që do të mbërrijnë në aeroportin e Rinasit.

Këto masa i shtohen atyre të ndërmarra një dite më pare ku u vendos mbyllja e të gjitha bareve dhe restoranteve në Tiranë dhe Durrës. Të gjitha këto për të minimizuar çdo mundësi të përhapjes së koronavirusit të ri që  pas evidentimit të rastit të parë në fillim të javës po njeh rritje të numrit të të prekurve çdo ditë.

Tv Klan