Mediat italiane: ADN-ja mbetet e “bllokuar” në Shqipëri

Tre elementë jo pa rëndësi, shkruajnë mediat italiane, kanë dalë në dritë ditën e enjte sa i përket hetimeve që lidhen me zhdukjen e sipërmarrësit italian Davide Pecorellli.

Në një artikull të publikuar këtë të premte nga e përditshmja La Nazione, thuhet se elementi i parë është fakti se një muaj pas zhdukjes së 45-vjeçarit, partnerja e tij shqiptare me të cilën Davide ka edhe fëmijë, ka pajtuar një avokat, Giancarlo Viti, i cili do ta përfaqësoja atë dhe fëmijën e saj si palë të dëmtuara. Ajo mësohet se është marrë disa herë në pyetje, si nga hetuesit shqiptare, disa ditë pas gjetjes së makinës së djegur të Pecorelli-t në Pukë, ashtu edhe nga hetuesit italianë.

Elementi i dytë lidhet me ADN-në. Burime për median italiane thonë se as të enjten nuk janë dërguar drejt Italisë mbetjet kockore të gjetura në makinën e djegur, për të bërë krahasimin me ADN-në e vëllai të tij, Antonello. Kjo, sipas asaj që shkruan La Nazione, po bën që misteri i zhdukjes së italianit të zgjatet edhe më tej, për shkak të ardhjes me vonesë të informacionit nga policia shqiptare.

Elementi i tretë: Gjatë ditëve të shkuara, Nazione përcolli deklaratën e një prej miqve të sipërmarrësit, me të cilin Davide donte të hapte një tjetër aktivitet në zonën e Citta di Castello. Sa i përket punëve që Pecorelli po bënte në Shqipëri, miku i tij, me të cilin 45-vjeçari fliste shpesh kohët e fundit, tha: “E di me siguri që Davide po kërkonte një ndërmarrje andej, për të nisur prodhimin e produkteve me markën “Parrucchieri Milano”, që më pas do t’i sillte në Itali”.

Gjatë ditës së enjte, miku i tij pati një tjetër deklaratë: “Kontaktova me Davide-n në fund të vitit, e teksa folëm për punën më konfirmoi interesin që kishte për të gjetur bashkëpunëtorë në Shqipëri, për të prodhuar produkte me markën “Parrucchieri Milano”. Por jo vetëm, pasi mes Tetorit dhe Nëntorit, mesa kam kuptuar, këta “bashkëpunëtorë” të mundshëm kishin ardhur këtu në Itali, e madje një mbrëmje më pati thënë se kishte një takim të rëndësishëm”.

Çfarë mund t’i ketë ndodhur Davide-s në atë zonë të humbur në veri të Shqipërisë, pyet e përditshmja Italiane teksa përcjellë informacionet me lart.

“Askush nuk beson tek versioni i vetëvrasjes, pak mundësi ka edhe që makina të ketë marrë flakë vetë, duke mos i dhënë mundësi Pecorelli-t që të dilte. Kockat e gjetura në makinën e shkrumbuar janë vetëm 5 përqind e trupit. Nëse ADN-ja konfirmon se janë të tijat, atëherë hetimi mund të zhvendoset në pistën e vrasjes. Por nëse analiza del negative, ashtu siç shpresojnë të gjithë, do të hapet një tjetër front hetimor“, e mbyll shkrimin e saj La Nazione./tvklan.al