Prokuroria nis zyrtarisht hetimet për tre gjyqtarë të Gjykatës së Durrësit, të dyshuar se kanë “shpërdoruar detyrën” gjatë shqyrtimit të çështjes së pronesisë së ish – hotel “Vollga”.

Janë prokurorët e Durrësit që po hetojnë për veprën penale të “falsifikimit të dokumentave”, pas dyshimeve për mënyrën e tjetërsimit të truallit dhe godinës së ish – hotelit të njohur në qendër të qytetit.

Ata vunë re një vendim të dyshimtë mbi këtë çështje.

Bëhet fjalë për çështjen Mohamed Abdullah Bavazeri, të “Saudi Brother” dhe shqiptarit Zanmir Hasa, që pretendojnë truallin dhe godinën.

Por prokurorët kanë vënë re se, ndërkohë që çështja gjykohej në Gjykatën e Lartë, Gjykata e Durrësit ka urdhëruar Hipotekën e Durrësit të regjistrojë si pronar shtetasin arab, duke fshirë automatikisht nga regjistri hipotekor emrin Zanmir Hasa, i cili kishte pronësinë deri në atë moment.

Dihet që, pasi mori pronësinë, shtetasi arab ia dhuroi ish – hotelin Emiljano Shullazit për mirënjohje.

Prokuroria dyshon se vendimi i 18 Shkurtit të 2013 -ës, të gjyqtarëve Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura, është marrë në kundërshtim të hapur e flagrant me ligjin, pasi nuk referohet në asnjë bazë ligjore dhe në dijeni të plotë të ekzistencës së një gjykimi paralel në Gjykatën e Lartë.

Prokuroria e Durrësit thotë se ky vendim nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi në asnjë dispozitë nuk parashikohet koncepti i “fshirjes” së një regjistrimi të kryer apo “anullimi” i fshirjes.

Prokuroria shprehet se, nga njëra anë Gjykata ka pranuar se zgjidhjen përfundimtare të çështjes do ta bënte Gjykata e Lartë dhe nga ana tjetër, vendosi në mënyrë të paligjshme, fshirjen e regjistrimit të pronës nga emri i Zanmir Hasës.

Për të tre gjykatësit, Prokuroria tha se do të informojë Presidentin e Republikës dh KLD -në.

Tv Klan