Tre ish-ministra Drejtësie do të merren në pyetje në lidhje me abuzimet në 5 tendera zhvilluar nga kjo Ministri. Ministrat mësohet se do të pyeten javën e ardhshme për rolin e tyre në procedurat e ndjekura për prokurimet e kryera. Ministrat mësohet se do të pyeten javën e ardhshme për rolin e tyre në procedurat e ndjekura për prokurimet e kryera.

Televizioni Klan ka siguruar raportin e inspektimit financiar të këtij institucioni që është kryer në periudhën 2016-2017. Në të përshkruhen në mënyrë të detajuar të gjitha shkeljet e konstatuara.

“Lidhur me ligjshmërinë e procedurave të prokurimit për 5 objekte prokurimi të inspektuara, konstatojmë se: Nuk janë zbatuar aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi në fushën e prokurimit publik për blerjet për mallra e shërbime”.

Sipas auditit, Ministria e Drejtësisë ka marrë angazhime buxhetore pa patur fondet në llogari. Një tjetër shkelje është shmangia e degës së Thesarit, ndërsa dëmi më i madh duket se është në tenderin e mbikëqyrjes elektronike për të burgosurit.

“Investimi i kryer nga Ministria e Drejtësisë për kontratën “Përmirësimi i Sistemit të Mbikëqyrjes elektronike në fushën penale” nuk ka realizuar objektivin dhe qëllimin për të cilin projekti u implementua, duke krijuar efekte financiare  negative me pasojë krijimin e dëmit ekonomik në vlerën 150.000.000 lekë, të përfituar padrejtësisht nga kontraktorët zbatues”.

Në lidhje me këto shkelje janë arrestuar 4 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtesisë. Mbi ta rëndon akuza “shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tendera”, duke i sjellë buxhetit të shtetit dëm rreth disa milionë Euro në dy vite.

Ndaj 8 personave të tjerë është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa 14 persona të tjerë janë nën hetim. Tenderat për të cilët ata akuzohen kanë të bëjnë me përmirësimin e regjistrit noterial dhe përmbarimor. Pavarësisht se këto dy shërbime nuk funksiononin, buxheti i shtetit vazhdonte të paguante për to.

Gjithashtu janë gjetur shkelje të rënda në sistemin e mbikëqyrjes elektronike dhe regjistrin online të 7 Gjykatave Administrative. Abuzime janë gjetur edhe në tenderin e pajisjes me kamera të burgut të Fushë-Krujës dhe Lezhës. Këto kamera sipas hetimeve janë jashtë çdo standardi që duhet të plotësojnë pasi nuk kanë cilësinë e duhur.

Tv Klan