Përfaqësuesja e Shqipërisë në “Miss Universe 2023”, Endi Demneri dhe producenti i njohur i “Miss Universe Albania & Kosova”, Eduart Deda, ishin këtë të enjte të ftuar në emisionin “Rudina”, në Tv Klan.

Gjatë programit, ata treguan një incident që ju kishte ndodhur në El Salvador. Historinë e nis Eduart Deda, duke u shprehur se incidentin e krijoi Demneri, pasi i duhej të përshëndeste fansat. Gjatë këtij momenti, përplasen 3 makina dhe sipas producentit, kjo ndodhi sepse ata ishin “duke parë Endin”.

Nga ana tjetër, Miss-i tregoi se personat që ishin pjesë e aksidentit i thanë: “Nuk na intereson fare ana materiale, na intereson që ne na pa një Miss dhe na dha një vëmendje. Sot më ke bërë ditën”.


Rudina Magjistari: El Salvador, ishte një vend ndryshe, le të themi Eduart këtë herë? Çfarë solli ky vend?

Eduart Deda: El Salvador njihet botërisht që është një vend i vogël me probleme shumë të mëdha, përsa i përket drejtësisë, rregullit, qetësisë publike. Këto vitet e fundit, me presidentin e ri ato kanë ndryshuar. Është vendosur rregulli, është vendosur pak a shumë sistemi, shteti funksionon, se dikur ka qenë shumë problematik për të udhëtuar drejt El Salvador. Në El Salvador më pëlqeu shumë organizimi që kishin bërë shteti, masat e sigurisë mënyra e pritjes që në aeroport, mënyra se si i trajtonin konkurrentet, ne që ishim delegatët, drejtuesit e “Miss Universe” nëpër shtete. Ishte një vend i ngrohtë, e vetmja gjë që ishte e mirë, pastaj ishte pak i rrezikshëm, por ishte okej.

Rudina Magjistari: Gjithsesi, ju nuk patët ndonjë incident apo jo?

Eduart Deda: Absolutisht jo. Incidentin e krijoi zonjusha (referuar Endi Demnerit). E krijoi zonjusha incidentin duke dalë nga aeroporti dhe një ndër shoqëruesit e eskortës së “Miss Univers” i thotë: “Përshëndeti këta njerëzit, mund të hapësh xhamin, mund t’i përshëndesësh fansat”. Dhe përplas nja 3 makina.

Rudina Magjistari: U përplasën 3 makina duke parë Endin.

Eduart Deda: Duke parë Endin dhe incidentin e shkaktuam ne, atje incidente ne nuk na shkaktuan, kështu që mirë.

Rudina Magjistari: Si skenë filmash kjo Endi.              

Endi Demneri: Po, më bëri përshtypje shumë fakti që ndodhi aksidenti dhe unë isha gati, direkt i thashë: “O Zot të lutem, të dal të kërkoj ndjesë dhe me çfarë mund t’i ndihmoj”. Dolën personat që ishin pjesë e aksidentit dhe më thanë vetëm një gjë: “Nuk na intereson fare ana materiale, na intereson që ne na pa një Miss dhe na dha një vëmendje. Sot më ke bërë ditën”. Emocion më vete.

Rudina Magjistari: Shumë e bukur, shumë e bukur. /tvklan.al