Autizmi është çrregullim neurobiologjik që veçohet me vështirësi në komunikim, ndërveprim shoqëror, sjellje të përsëritura dhe rreze të kufizuar interesash. Duke e konsideruar gjuhën e prindërve si gjuhën më të çmuar të kurajos njerëzore, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” ka sjellë botimin “Autizmi”.

Mesazh nga prindërit për prindërit, me qëllim që të përcjellë tek publiku shqiptar dhe jo vetëm, sakrificën, mundin, zhgënjimin, sukseset, harresën, kërkesat dhe nevojat që çdo prind ka ndjerë dhe ndjen në rritjen e fëmijës së tij më këtë çrregullim.

12 prindër kurajozë që janë bërë pjesë e këtij libri sjellin përvoja të jashtëzakonshme dhe shumë të vlefshme dhe mund të cilësohet si një leksion jete për çdo prind që ndan jetën me çrregullim e autizimit.

Sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan ishin të ftuara Denada Çapi, mësuese në Durrës, Miranda Hoxha, specialiste në Bashkinë e Tiranës dhe Qëndresa Sadriu, bankiere në Prishtinë, të cilat rrëfyen përvojat me fëmijët e tyre autikë përmes së cilave përcollën kurajo për të gjitha nënat.

“Unë isha e para që kuptova që Emili kishte diçka që nuk shkonte. Kur ishte 15 muajsh e çova tek pediatri, ai më sugjeroi që ta çonim tek neurologu. Aty dëgjova për herë të parë për autizmin. Ai moment ka qenë shokues, tronditës, nuk kam fjalë ta përshkruaj dëshpërimin. Do ta quaja tragjedi atë që po ndjeja brenda vetes, atë që po jetoja në atë moment. Më sugjeruan një shurup që quhej Netropil, i cili përdorej për moshën e tretë që vuanin nga skleroza. Informacioni thuajse nuk ishte fare. Të vetmet informacione që gjeta ishin në internet. Aty lexova gjëra që i përkisnin Emilit. Kudo që u drejtova nuk gjeta zgjedhje. Në moshën 5 vjeçare, shumë vonë, shkova në qendrën “Fëmijët shqiptarë”, ku është punuar në mënyrë intensive me të. Doja vetëm të më thërriste mami. Në fillim familja nuk e pranonte faktin që ai kishte probleme, më thoshin që unë kisha probleme. Më vonë dhimbja u zbut, lufta u përball me shumë forcë. Në momentin që e pranon, aty ke filluar betejën e vërtetë”,

tregoi Denada Çapi.

“Autizmi në vetvete është një çrregullim, nuk është isufiçencë inteligjence. Ai mund të ketë koefiçent inteligjence më të lartë se normalja, por autizmi i tij është një çrregullim që të mbivendoset edhe ty si prind, ose si familje. Deri në momentin që të duhet të pranosh këtë çrregullim është një rrugëtim i gjatë dhe shumë i mundimshëm. Kur nuk takon profesionistët e duhur, kjo gjë vështirësohet edhe më shumë. Dhe mua kjo më ka ndodhur. Diagnostikimi i Jamarbrit ka qenë i vështirë, mori kohë të gjatë, sepse profesionistët nuk ishin kualifikuar për ta njohur. Autizmi vendos një gjendje të vështirë në familje deri në momentin që pranohet. Kur pranohet familja strukturoret, atëherë ti fiton mbi autizmin. Unë nuk dua ta quaj luftë, sepse autizmi i djalit tim është shumë i bukur”,

tregoi Miranda Hoxha.

“Unë isha e re, Drini erdhi nga një shtatzëni e planifikuar dhe unë isha shumë në qejf, kisha ëndërruar gjithçka për të. Gjithçka shkonte mirë deri kur bëri 2 vjeç. Shikoja që kishte lëvizshmëri shumë të madhe. Kisha nipin 3 muaj më të vogël se Drini dhe fillova të bëj krahasimet. Filluan kontrollet e njëpasnjëshme dhe të stërgjatura. Kur u përmend për herë të parë fjala autizëm unë mbeta, sepse nuk e kisha as idenë më të vogël se për çfarë bëhej fjalë. Fillova të kërkoj informacion dhe kuptova për çfarë bëhej fjalë. U bëra shumë keq, arrita në një pikë që nuk mendoja më për Drinin dhe për askënd tjetër. Mendoja vetëm për vete dhe thosha: “O Zot ç’më gjeti mua”. Mora leje nga puna për tre muaj dhe 2 muaj e gjysmë s’kam bërë gjë tjetër përveçse kam qarë. U lodha, s’kisha më forcë as të qaja dhe kuptova se po i bëja keq vetes, Drinit dhe s’po arrija asgjë. U ndala dhe nisa të mendoj nëse ishte kjo rruga e duhur me të cilën duhet ta zgjedh dhe aty kuptova se isha bërë shumë egoiste. Kisha harruar që jam nënë dhe që kisha obligime në raport me Drinin. Për një kohë të shkurtër e mora veten dhe kjo ndodhi sepse e pranova. Kjo dhimbje është vështirë të pranohet nga gjithsecili. Tek familjarët e mi, të cilët kanë një nivel të mirë akademik e pranuan më lehtë, por kontradikta në fillim ka qenë. Kjo kaloi shumë shpejt dhe jemi në rrugë të mbarë. Që kemi vuajtur shumë kjo nuk diskutohet, por unë atë vuajtje kam vendosur ta rrëfej në kontekst të guximit dhe të forcës për të ecur përpara”,

tregoi Qëndresa Sadiu.

/tvklan.al