PD sërish jashtë edhe pse njeh dekretin e Presidentit

Ditën e skadimit të afatit për regjistrimin në zgjedhjet lokale të dekretuara për t’u mbajtur në 13 Tetor nga Presidenti Meta, tre aleatët e Lulzim Bashës, ashtu sikundër kishin paralajmëruar, paraqitën në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kërkesën për të marrë pjesë në proces.

Kërkesa e Partisë Republikane, asaj Agrare Ambientaliste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim vjen pas thirrjes që pak ditë më parë ato i dërguan këtij institucioni që në respekt të dekretit të kreut të shtetit të niste procedurat për organizimin e zgjedhjeve lokale në 13 Tetor.

Kërkesës së tre aleatëve nuk iu bashkua Partia Demokratike. Selia blu, edhe pse e njeh dekretin e Presidentit, refuzon të bëhet pjesë e garës. Nënkryetari i demokratëve Edi Paloka thotë se më shumë sesa data rëndësi kanë standartet dhe në këtë pikë demokratët nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kushti i panegociueshëm, ai për largimin e Kryeminsitrit Rama.

Regjistrohemi apo nuk regjistrohemi kjo është çështje që varet nga vendimet tona, ne vendimet i kemi marrë. Për ne nuk kanë rëndësi datat e zgjedhjeve, për ne rëndësi kanë standardet e zgjedhjeve. Nuk kemi lëvizur nga ky qëndrim. Por kjo nuk i lehtëson institucionet nga detyrimi kushtetues që kanë dhe që po e shkelin me të dy këmbët”.

Zgjidhja për daljen nga kriza, Paloka thotë se duhet të vijë përmes dialogut dhe sërish këtu opozita e ka një kusht për Edi Ramën.

“Rama si kryeministër nuk mund të ulet në tavolinë më PD dhe me opozitën. Si kryetar i PS është çështje e tyre, ne nuk mund të vendosim kush është kryetari i Partisë Socialiste”.

Bastin e vënë për mosdaljen e kryebashkiakëve nga zyrat deri në mbajtjen e zgjedjjeve të lira e demokratike Lulzim Basha e humbi, por nënkryetari i demokratëve thotë se pushteti lokal u grabit me dhunë nga Kryeministri.

Tv Klan