Një 39-vjeçar ra në prangat e policisë së Tiranës, pasi kanosi me armë zjarri një person. Burime të policisë thonë se ngjarja ndodhi në Babrru, aty ku i arrestuari, për shkaqe të panjohura kërcënoi me pistoletë një person me iniciale P. Ll.

Pasi shkoi në vendngjarje dhe arrestoi personin autorin e dyshuar, policia u vu në kërkim të armës së zjarrit. Ajo që zbuloi ishte se pistoleta ishte marrë dhe fshehur nga një tjetër person që ndodhej në vendngjarje. Ky i fundit u shpall në kërkim.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. T., 39 vjeç, pasi në Babrru ka kanosur me armë zjarri pistoletë shtetasin P. Ll. Gjatë kontrollit për gjetjen e armës nga veprimet hetimore rezultoi se arma e zjarrit është marrë dhe fshehur nga shtetasi A. K., i pranishëm në vendngjarje, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij”, tha policia në një njoftim për mediat./tvklan.al