Do të shohim nëse do të mbahet fjala për listat dhe koalicionet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës flasin qartë për miratimin të enjten në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese. Ambasadorja Juri Kim, e cila ndërmjetësoi edhe marrëveshjen e 5 Qershorit, shprehet “pro” këtyre amendimeve nga parlamenti. Në një njoftim të shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, ku diplomatja zbardh takimet me Kryeministrin Rama, Presidentin Meta dhe Kryedemokartin Basha, ajo thotë se ka marrë garanci nga drejtuesit se votimi i parlamentit nuk i mbyll negociatat në Këshillin Politik për listat e koalicionet dhe se ambasada do të vëzhgojë nëse ata do ta mbajnë fjalën.

“Drejtuesit përkatës kanë deklaruar se çdo veprim i Parlamentit nesër nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Të gjitha partitë duhet të vazhdojnë të përfshihen, në mënyrë që ligjet të cilat do të miratohen në fund, të jenë rezultat i një procesi transparent dhe përfshirës, në interes të të gjithë popullit shqiptar, dhe që e çojnë vendin përpara në rrugën demokratike – ky është një detyrim që udhëheqësit shqiptarë e kanë përpara popullit shqiptar”.

Por teksa i fton palët të përfshihen me mirëbesim në tryezën e Këshillit Politik, Ambasadorja Kim kujton si rëndësinë që ka respektimi i marrëveshjes së 5 Qershorit, ashtu edhe të drejtën e parlamentit për të miratuar ligje, por nënvizon edhe rolin e opozitës jashtë parlamentit në këtë proces.

“Së pari, marrëveshja e 5 qershorit, e cila u arrit nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duhet respektuar ashtu si u ra dakord për të. Së dyti, Parlamenti ka kompetencat dhe përgjegjësinë për të marrë në shqyrtim dhe miratuar legjislacionin. Së treti, në të njëjtën kohë, edhe pse ata të cilët “dogjën mandatet e tyre”, bazuar në përkufizimin e kësaj, kanë djegur pretendimet që mund të kishin për kompetenca dhe përgjegjësi në Parlament, nuk mund të injorohet fakti se ata, gjithsesi, përfaqësojnë një pjesë domethënëse të votuesve shqiptarë”.

Ky qëndrim i Ambasadores Amerikane, Juri Kim vjen në një kohë kur maxhoranca dhe opozita në Këshillin Politik janë ende larg konsensusit. Opozita thotë se ndryshimet kushtetuese të njëanshme prishin marrëveshjen 14 Janarit dhe 5 Qershorit dhe ato kanë për qëllim vetëm heqjen e koalicioneve parazgjedhore, ndërsa mazhoranca e ka sfiduar palën tjetër të propozojë qofte edhe një model tjetër të ngjashëm me formulën e koalicioneve parazgjedhore në Shqipëri, në hapësirën e vendeve të OSBE.

Tv Klan