Shkëmbimi rrit shpresat për paqe në Afganistan

Talebanët afganë kanë liruar 2 pengje nga Perëndimi në këmbim të tre komandantëve të burgosur të grupit të militantëve islamikë. Amerikani Kevin King dhe australiani Timothy Weeks u morën peng në Gusht të 2016 në Universitetin Amerikan të Afganistanit në Kabul, ku të dy punonin si profesorë. Lajmi u bë i ditur nga Presidenti Ashraf Ghani.

“Ne kemi vendosur të lirojmë tre anëtarë të grupimit të talebanëve. Por ne kemi vendosur një mekanizëm që lirimi me kusht i tyre të mos nënkuptojë forcimin e radhëve të armikut dhe intensifikimin e sulmeve të tyre.”

Shkëmbimi i të burgosurve ka rritur shpresat për nisjen e bisedimeve të paqes në Afganistan, për t’i dhënë kështu fund luftës që zgjat prej dekadash tashmë. Deri tani talebanët nuk kanë pranuar të ulen në bisedime me qeverinë kukull sipas tyre, të Kabulit, por kanë biseduar me Shtetet e Bashkuara një plan për tërheqjen e trupave amerikane në këmbim të garancisë për siguri në vend.

Por Presidenti i SHBA Donald Trump ndaloi bisedimet muajin e kaluar, bashke me shpresat për t’i dhënë fund luftës pas vdekjes së një ushtari amerikan dhe 11 personave të tjerë në një sulm me bomba në Kabul.

Tv Klan