Ishin nisur drejt Britanisë me dokumente false

3 persona të cilët tentuan të largoheshin nga Shqipëria me dokumente të falsifikuara u arrestuan nga autoritetet policore në Aeroportin e Rinasit. Ata janë E. B., 33 vjeç, dhe E. Xh., 25 vjeç, të dy banues në Tepelenë, si dhe K. X., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë pas dyshimeve të krijuara gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe kontrollit të imtësishëm në vijën e dytë, ku iu gjetën dhe sekuestruan 3 karta identiteti dhe 3 karta shëndeti italiane të falsifikuara.

Policia thotë se të arrestuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë, pasi kishin siguruar paraprakisht dokumente të falsifikuara italiane me gjeneralitete të shtetasve të tjerë (italianë), tentuan të kalonin nëpërmjet Aeroportit të Rinasit tranzit drejt Aeroportit të Milanos me destinacion final Mbretërinë e Bashkuar.

Autoritetet thonë se po punojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve që kanë pajisur këta persona më dokumente të falsifikuara dhe që do t’i ndihmonin për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Britanisë./tvklan.al