Në kuadër të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë vijuar me kontrollet në të gjithë qarkun e Durrësit.

Në vijim të kontrolleve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë u arrestua në flagrancë Edmond Koçi 42, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, në çantën e dorës, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Luger”.

Koçi dyshohet se në vitin 2006 ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Kastriot Lamçe banues në Durrës. Ai ka qenë i dënuar më parë me 2 vjet e 5 muaj burg në vitin 2010 për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” nga Gjykata e Durrësit.

***

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë Sadik Leka 58 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim policor djemtë e tij, shtetasit T. (E.) L., 35 vjeç, D.(Y.) L., 37 vjeç dhe E. L., 26 vjeç, banues në Thumanë. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. L., në një magazinë të cilën e kishte përshtatur me llamba për kultivim të bimëve narkotike, u konstatuan kubikë të kultivuar me fara të dyshuara cannabis sativa, 1 kallashnikov, municion luftarak, 1 armë gjahu dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve u arrestua në flagrancë Petrit Lazeri, 34 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin po lëvizte (të cilin e kishte marrë me qira), iu gjetën 2 palë çelësa mjetesh, ku njëri prej tyre i përkiste një mjeti të vjedhur, i cili rezultoi se ishte i vjedhur në Lushnjë më datë 09.09.2020 dhe u gjend i parkuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 1 kg lëndë narkotike cannabis sativa.