Forcat e anti-terrorit francez arrestuan këtë të martë 3 persona të dyshuar se po planifikonin një atentat terrorist në Francë. Të arrestuarit, për të cilët nuk u dhanë informacione të detajuara, u neutralizuan në rrethinat e Parisit, në Marsejë dhe në Clermont-Ferrand. Sipas autoriteteve franceze tre personat e vënë në pranga kishin përparuar me planin e tyre dhe priteshin të godisnin së shpejti, çka detyroi policinë të ndërhynte dhe të shkatërronte celulën terroriste.

Ata ishin vënë në përgjim nga shërbimet sekrete që prej muajit janar, në një hetim për një rrjet xhihadistësh që dërgonte luftëtarë në Siri, për të luftuar për llogari të ISIS. Mësohet se ata ishin mjaft aktivë në rrjetet sociale, ku rekrutonin të rinj për t’i dërguar më pas në luftë. Franca është në gjende të jashtëzakonshme, që zgjat që prej sulmeve terroriste të 13 nëntorit 2015, ku një komando terroriste e Shtetit Islamik vrau 130 persona.

Tv Klan