Kurbin, Lezhë | Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, kanë ushtruar kontrolle përgjatë shtratit të lumit Mat, bazuar edhe në informacionet e marra për disa persona që gërryenin shtratin e lumit, duke marrë zhavorr e inerte në mënyrë të paligjshme.

Gjatë kontrollit u kap në flagrancë dhe u procedua penalisht shtetasi F. F., 35 vjeç, banues në Zejmen, Lezhë, përfaqësuesi i subjektit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorim i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjatë kontrollit u kap dhe u procedua penalisht edhe shtetasi A. M., 53 vjeç, banues në Krujë, pasi në fshatin Gurëz, Kurbin, u kap duke gërryer, duke grumbulluar dhe duke marrë zhavorr në shtratin e lumit Mat.

Gjithashtu u procedua penalisht edhe shtetasi Gj. M., 51 vjeç, banues në Mamurras, drejtuesi i mjetit kamion që shërbente për transportin e inerteve pa faturë tatimore, i cili u sekuestrua nga shërbimet e Policisë.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorim i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”, kryer në bashkëpunim./tvklan.al