Tre persona humbën jetën pasditen e së enjtes në dy aksidente të ndodhura në rrugët e vendit. Këto pamje i përkasin aksidentit tragjik të ndodhur rreth orës 15:30, pranë kryqëzimit të rrugës së fshatit Progër me rrugën nacionale Korçë Bilisht. Në këtë ngjarje, mbetën të vdekur tragjikisht dy vëllezërit Billi Telo 23 vjeç dhe Simon Telo, 17 vjeç. Të dy ata po udhëtonin me këtë motoçikletë. 

Nga veprimet e para të policisë në vendin e ngjarjes, është ngritur dyshimi se motoçikleta e dy vëllezërve po ecte me shpejtësi dhe i ndërpreu rrugën makinës “Mercedez- Benz”, e cila përfundoi në kanal.

Drejtuesi i mjetit u ndalua nga policia deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit. Një tjetër aksident i rëndë ndodhi në aksin Levan- Tepelenë ku humbi jetën Alket Mehmetaj 48 vjeç.

Ngjarja ndodhi në afërsi të fshatit Kreshpan kur një automjet “Mercedez- Benz” u përplas nga një makinë fuoristradë “Range Rover” të drejtuar nga Alfred Yzeiraj. Paraprakisht dyshohet për një parakalim të gabuar të mjetit “Range Rover”. Policia shoqëroi drejtuesin e tij i cili ka marrë plagë të lehta nga përplasja. Pas dy aksidenteve të ndodhura Drejtoria e Përgjithshme e Policisë kërkoi nga drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm në akset rrugore të cilët janë bërë të rrëshqitshëm, pas shirave të rënë gjatë pasdites.

Tv Klan