3 viktima nga covid, rekord shtrimesh në spitale


3 viktima nga covid, rekord shtrimesh në spitale

16:32 22/09/2020

Konfirmohen 131 raste të reja, infektohet edhe Voltana Ademi

Tre persona nuk e kanë fituar dot betejën me koronavirus në 24 orët e fundit, duke e çuar në 367 numrin total të viktimave në vendin tonë që nga nisja pandemisë.

“Me gjithë përpjekjet e mjekëve, e kanë humbur betejën me COVID-19 një 78-vjeçar nga Peqini, një 80-vjeçare dhe një 87-vjeçar nga Tirana”.

Por situata mbetet shqetësuese, pasi në spitale është shënuar një shifër rekord të shtruarish që kërkojnë një trajtim të specializuar mjekësor.

“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 201 pacientë, 17 në terapi intensive, nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar”.

Sa i përket të infektuarve, ka një ulje të lehtë të personave që janë prekur brenda një ditë. Nga 825 testime janë konfirmuar 131 raste të reja me Covid, ndërmjet të cilëve edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës së Shkodrës, Voltana Ademi.

“Shpërndarja gjeografike e të konfirmuarve pozitivë në 24 orëve të fundit është si vijon: 68 të prekur në Tiranë, 8 raste në Lushnje, 6 raste në Shkodër dhe Gjirokastër, 5 raste në Has, 4 raste në Krujë dhe Dibër, 3 raste në Durrës, Korçë, Kavajë, Berat, Divjakë, 2 raste në Kurbin, Devoll, Mat, Pogradec, Delvinë, Roskovec, 1 rast në Kukës, Vlorë, Malësi e Madhe”.

Ndërkohë 47 persona janë shëruar 24 orët e fundit dhe në vendin tonë janë 5257 raste aktive, ku Tirana ka thuajse gjysmën e të infektuarve.

Tv Klan



Të ngjashme