188 pacientë në spital, 21 në terapi intensive

Koronavirusi ka regjistruar 3 jetë të humbura në 24 orët e fundit , duke e çuar në 327 totalin e viktimave të kësaj pandemie, ndërsa dhjetëra të tjerë po luftojnë për jetën.

“Një 80-vjeçar nga Shkodra, një 82-vjeçar dhe një 90-vjeçar nga Tirana nuk e fituan dot betejën me sëmundjen në 24 orët e fundit. Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 188 pacientë, 21 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar”, u shpreh Gentiana Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik.

161 raste te reja me koronavirus janë identifikuar nga laboratori i analizave në Institutin e Shëndetit Publik.

“54 raste në Tiranë, 20 raste në Elbasan, 13 raste në Korçë,11 raste në Kukës, 10 raste në Durrës, Lezhë, 9 raste në Krujë, 6 raste në Pogradec, 4 raste në Kamëz, nga 3 raste në Shkodër, Devoll, Kavajë, Vlorë, 2 raste në Gramsh,nga 1 rast në Has, Lushnje, Pukë, Mirditë, Berat, Librazhd, Përmet, Malësi e Madhe, Shijak, Maliq”, shtoi Qirjako.

Referuar rasteve të reja ekspertët janë të mendimit se situata është e qëndrueshme, por hapja e shkollave mund të sjellë ndryshim.

“Krahasuar me incidencën 2-javore të javëve pararendëse ka një ulje të lehtë, por ky është një moment i rëndësishëm për të kujtuar rëndësinë e respektimit të rregullave pasi hapja e shkolla mund të ketë impakt në situatën epidemiologjike”, përfundoi zyrtarja.

Mbajtja e maskave dhe respektimi i distancës janë rregulla për të mos u infektuar.

Tv Klan