Largohen teknikët e Partizanit, Teutës dhe Luftëtarit

Java e 15 e Superligës solli shkarkimin njëherazi të 3 trajnerëve. Franco Lerda humbi derbin duke e bërë presidentin e Partizanit të shkelte në mënyrë indirekte një premtim të kahershëm ndaj tifozëve se sa të ishte ai në drejtim të të kuqve, Partizani nuk do të humbte derbin.

Jo vetëm për këtë arsye, por edhe për faktin se Partizani nuk po shfaqte ndeshje të mira, drejtuesit e ekipit morën vendimin që duket se po e bluanin prej disa javësh.

Lerda i kishte të gjitha kushtet e dëshiruara për të punuar i qetë sipas mënyrës së tij vetëm që të merrte rezultatet që klubi kërkon. Drejtuesit madje larguan përkohësisht edhe përgatitësin atletik Corrado Saccone si dhe zëvendësin Dritan Mehmeti, për shkak se Lerda krijoi konflikt fiktiv me ta.

Të dy këta të fundit janë rikthyer menjëherë në klub për të drejtuar ekipin në seancat stërvitore të radhës. Derbi është lënë pas, jo pa pasojë të cilat do të fashiten vetëm nëse merren rezultate të mira në javës e ardhshme.

Në dy javët e ardhshme përballë Teutës dhe Vllaznisë duket se do të vijohet me këtë staf. Në merkaton e Janarit do të bëhen lëvizjet konkrete, por që tani Ilir Daja dhe Orges Shehi duken në pole-position.

Java e 15-të ishte fatale edhe për Bledi Shkëmbin e Teutës. Humbja me Kukësin 4-0 mesa duket sosi durimin e presidentit Hasanbelliu. Teuta ka bërë ndeshje të mira të cilat nuk janë reflektuar në rezultat. Ende e paqartë se cili do të jetë pasuesi i Shkëmbit.

Edhe Luftëtari e shkarkoi trajnerin Gret Marantas. Në vend të tij, gjirokastritët kërkojnë lushnjarin Artan Bano, i cili është në drejtim të Egnatias. Është një zgjedhje emergjence deri në fund të kampionatit pasi Luftëtari me këtë ritëm, do të zbresë në Kategorinë e Parë.

Merkato e janarit në Superligë me gjasë do të jetë më e nxehtë për trajnerët se për futbollistët pasi nga 10 skuadra 4 nuk kanë drejtues.

Tv Klan