Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar që në një vendim të datës 24 Dhjetor të vitit 2015 se koncesioni i aeroportit të Rinasit ka futur në një stanjacion tregun e fluturimeve në Shqipëri, i cili nuk po merr të njëjtën rritje dhe zhvillim si në vendet e tjera të Europës.

Për këtë arsye Komisioni i Konkurrencës ka kërkuar që në atë kohë liberalizim të shërbimeve që ofrohen në aeroportin e Rinasit si: ulja dhe ngritja e avionëve, shërbimet për pasagjerët, kargo, parkimi i avionëvë dhe ndriçimi i pistës.

Televizioni Klan ka arritur të sigurojë dy vendime të marra njëri pas tjetrit për këtë çështje nga ana e Komisionit të Konkurrencës, drejtuar dy institucioneve përgjegjëse për fushën e aviacionit civil, ministrisë së Transporteve dhe asaj të Ekonomisë, ku i kërkon për të dytën herë që të zbatojë vendimin e vitit 2014 dhe duke bërë rivlerësimin ekonomik të kontratës, dhe orientimin e tarifave drejt kostove reale të tyre.

Vendimet nuk janë bërë asnjëherë publike, dhe kanë mbetur në sirtarët e institucioneve shqiptare. Edhe në faqen e internetit të Autoritetit të Konkurrencës, këto dy vendime nuk ekzistojnë.

Nga ajo kohë e deri më sot, kanë kaluar 3 vjet, por autoritetet shqiptare vetëm tani po kujtohen për të marrë masat e për të nisur procedurat për uljen e tarifave në bazë të nenit të kontratës që i lejon rishikimin e pavarur ekonomik. Kërkesa nga Konkurrenca  është bërë 3 herë: në vitin 2014, më 24 Dhjetor dhe më 29 Dhjetor 2015.

Në një përgjigje për televizionin Klan, Autoriteti i Aviacionit Civil konfirmoi nisjen e procedurave për kontraktimin e një eksperti të pavarur me qëllim uljen e çmimeve që u vendosen shoqërive të fluturimit, por pa dhënë përgjigje se përse rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës po zbatohen 4 vjet më vonë.

Tv Klan