Historia e sotme në “Historia ime” nën drejtimin e Mirela Milorit në Tv Klan është e pazakontë. Reisi është një vogëlush 3-vjeçar, i cili bashkëjeton me tre diagnoza të vështira që e shoqërojnë që në ditët e para të lindjes. Ai nuk mund të shkojë as në kopësht, për shkak të mosvaksinimit.

Babai i tij, Pllumb Dungaj, pretendon se mosvaksinimi i birit të tij të vogël është neglizhencë dhe padrejtësi dhe kërkon që vaksina të bëhet patjetër.

Pllumb: Historia e Reisit ka nisur që në ditën e 3 të lindjes. Pasi shfaqi problemin e sëmundjes së parë, që ne e kapëm shumë shpejt në kohë, ishte epilepsia. Ai kishte edhe problemin kardiak. Këto dy diagnoza na prekën shumë, se nuk e kemi as në fis, as në gen. Reisi, pak ditë më parë ka dalë nga spitali. Diagnoza e 3 që iu shfaq është asma.

Mirela Milori: Gjatë këtyre 3 viteve, sa herë është vaksinuar Reisi?

Pllumb: Reisi, një vaksinë e ka bërë në ditën e dytë të lindjes dhe një vaksinë e ka bërë para një muaji, për pjesën e mos ftohjes. Reisi është i pavaksinuar që ditën e lindjes, se këto 2 vaksina pothuajse nuk mbrojnë asnjë nga pjesët që mund të depërtojë nga pjesa e jashtme. Sepse ai ka humbur të gjithë imunitetin e tij.

Mirela Milori: Si kanë qenë këto 3 vite?

Pllumb: Kanë qenë shumë të lodhshme. Për gruan time, spitali u bë burg. Këto 3 diagnoza nuk e di sesa do zgjasin…

Pllumbi shprehet se krizat e epilepsisë i japin goditje dhe kjo çon më pas në probleme me frymëmarrjen.

Mirela Milori: Reisi ka këto 3 diagnoza si pasojë e të cilave mjekët kanë vendosur mos ta vaksinojnë. Çfarë përgjigje të kanë dhënë mjekët që nuk është vaksinuar Reisi?

Pllumb: Unë si prind kam trokitur në çdo derë, nuk kam lenë derë pa trokitur se ai po të vaksionohet mund të bëhet më aktiv në pjesët e jetës.

Si mbas konfirmimit që ka marrë nga mjekët përkatës, fëmijës nuk i është lejuar t’i kryhet vaksina sipas kalendarit të detyrueshëm të vaksinimit sepse nuk i është gjendur momenti i stabilizimit të gjendjes shëndetësore për të përballuar vaksinimin.

Pllumb: Atij është e vërtetë që nuk i është gjendur momenti dhe nuk i gjendet një moment, por mendimi im si prind është të bëhet një komision nga mjekët dhe të monitorohet në një qendër spitalore gjatë pjesës së vaksinimit.

Mirela Milori: E ke kërkuar këtë?

Pllumb: E kam kërkuar dhe nuk e morën në konsideratë dhe nuk e morën për ta vaksinuar sepse rrezikon, ka rrezikshmëri.

Mirela Milori: Problemi për ty ka qenë edhe mosregjistrimi në kopsht?

Pllumb: Sepse duhen dokumentet përkatëse, pika e parë është pjesa e vaksinimit, por ai nuk e ka kartelën e vaksinimit sepse nuk është vaksinuar.

Mirela Milori: E ke çuar rekomandimin e mjekëve, çerdhes dhe kopshtit?

Pllumb: E kam konsultuar, kam shkuar, kam marrë dhe konfirmimin nga mjekët, por ato kanë një ligj përpara, të cilin e zbatojnë.

Mirela Milori: Çfarë thotë ligji?

Pllumb: Ligji thotë se në rast se një fëmijë është i pavaksinuar nuk duhet të shkojë në kopsht ose çerdhe sepse rrezikon.

Për Reisin është shumë e rrezikshme të shkojë i pavaksinuar në ambientin e kopështit ku qarkullojnë shumë viruse dhe infeksione, sepse për të mund të rezultojnë fatale.

Mirela Milori: Si e shikon të ardhmen për djalin tënd?

Pllumb: Unë do kem guxim dhe forcë dhe shpresoj që të hapet një dritë jeshile për atë..

Mirela Milori: Çfarë kupton ti me dritë jeshile? Çfarë do ti?

Pllumb: Në rast se do merret një masë për t’u vaksinuar, ai mund të mbrohet nga disa viroza që i ka të rrezikshme. Përveç kësaj, gjendja në shtëpi ku jeton Reisi është për t’u dëshiruar.

Drejtoresha e kopështit pranë banesave sociale në Shkozë, ku Pllumbi është adresuar për të kërkuar që djalin e tij ta pranojnë në kopësht,  ka treguar gatishmëri që Pllumbi të çojë dokumentacionin e Reisit për ta regjistruar. /tvklan.al