Prokuroria e Posaçme i akuzon për shkelje të barazisë në tendera

Tre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Mbrojtjes janë marrë të pandehur zyrtarisht nga SPAK për veprën penale shkelje e barazisë në tendera.

Nën akuzë janë zyrtarët Ylli Imeri, Dafina Keca dhe Andrea Dapaj. Ata dyshohet se kanë favorizuar ose paracaktuar kompaninë që do të fitonte tenderin. Gjatë hetimeve në rrjetën e SPAK ka rënë edhe Drejtori i komanduar i drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të shtetit, Sokol Zaimi. Ai akuzohet për “shpërdorim detyre” pasi me mosveprimin e tij ai nuk ka përllogaritur fondin limit për tenderin e zhvilluar nga Ministira e Mbrojtjes.

Hetimi nisi pas kallëzimit të Partisë Demokratike për abuzim me tenderin e ushqimeve për familjet në nevojë. Ky tender është marrë në kushtet e emergjencës për menaxhimin e pandemisë dhe gara është zhvilluar në mënyrë sekrete.

Në atë kohë Ministria e Mbrojtjes drejtohej nga Olta Xhaçka, e cila u mor në pyetje nga Prokuroria e Posaçme. Grupi hetimor nuk gjeti asnjë shkelje të kryer nga Xhaçka në lidhje me këtë çështje. SPAK ka në dorë dokumentat se si u përzgjodh fituese kompania që do të merrej me shpërndarjen e ushqimeve.

Selia blu pretendoi në atë kohë se bëhet fjalë për një abuzim me vlerën e 1.5 milion euro.  Në kallëzim PD theksonte se zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë shpallur fituese në fund të Marsit të 2020 një kompani të huaj e cila nuk ka pasur eksperiencë në sektorin për shpërndarjen e ushqimeve.

SPAK ka mbyllur hetimet dhe dosja ka shkuar në dyert e gjykatës.

Klan News