Gjykata e Podgoricës në Mal të Zi ka vendosur 30 ditë paraburgim për 3 anëtarët e familjes shqiptare, të dyshuar për vrasjen e policit malazez Milutin Lekoviç.

Luan Hasanaj, vëllai i tij Lulëzim Hasanaj dhe mamaja e tyre Nure Hasanaj janë me masë sigurie 30 ditë arrest në burg, kohë gjatë së cilës prokuroria duhet të grumbullojë fakte dhe prova të mjaftueshme ndaj të akuzuarve, raporton “Vijesti”.

Tre shqiptarët nga Malësia e Madhe u arrestuan pas vrasjes së policit malazez në qytetin Igalo. Luan Hasanaj është personi që dyshohet se qëlloi me plumb në kokë efektivin malazez. Familja shqiptare u ndalua nga autoritetet e kufirit për shkak se ishin pa dokumente identifikimi, ndërsa në momentin e ndalimit kanë thënë se janë nga Kosova.

Të tre u morën me një makinë policie për t’u shoqëruar në komisariat. Krimi ndodhi në makinë e policit gjatë momentit që shqiptarët po dërgoheshin në komisariat. Nuk dihen ekzaktësisht se si rrodhën ngjarjet brenda makinës së policisë.

Pas kësaj, shqiptarët tentuan të arratisen, por u ndoqën nga policia malazeze, me të cilët patën edhe shkëmbim zjarri. Nga të shtënat mbeti i plagosur në dorë vetëm Luan Hasanaj.

43-vjeçari Luan Hasanaj ka qenë në kërkim edhe nga policia shqiptare për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë të kryer në bashkëpunim. /tvklan.al