“Viktimë e tyre, qytetarët dhe integrimi i vendit”

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka ironizuar sjelljen politike të mazhorancës dhe opozitës pas 30 Qershorit. Në një reagim në rrjetet sociale Presidenti shkruan se të dyja palët flasin për fitore, duke gëzuar liderët, por pasojat e rënda që penalizojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ilir Meta, President i Republikës: E kam fjalën për fitoren “e vërtetë” të mazhorancës aktuale, që në zgjedhjet e saj të njëanshme dhe të paligjshme, shpalli fitoren në 100% të bashkive të Shqipërisë, si edhe të këshillave bashkiakë. Por edhe entuziazmi i liderëve të opozitës se ata fituan 85% është mbresëlënës, duke harruar se sikur opozita të ishte regjistruar në kohë para shfuqizimit të 30 qershorit si datë e zgjedhjeve do t’i mjaftonte të kishte për vete, jo më shumë se 1/4 e 85% për të arritur një fitore reale dhe institucionale në shumicën dërrmuese të njësive vendore.

Meta shkruan se kjo sjellje e partive politike po penalizon vendin duke çuar në mos-hapjen e negociatave.

Ilir Meta, President i Republikës: “Fitorje” të tilla penalizojnë rëndë të ardhmen e vendit, pasi jo vetëm garantojnë një disfatë në 18 tetor për çeljen e negociatave në mënyrë te sigurt, por lenë pa mbrojtje nga të drejtat e tyre të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët jetën e tyre të përditshme e kanë aq të lidhur me shërbimet e pushtetit vendor. Ndërkohë asgjësimi i llogaridhënies së pushtetit vendor (pas atij qendror), i shërben vetëm pakicës që nuk njeh rotacion dhe të përzgjedhurve të saj për të administruar çdo pushtet, pasuri dhe pronë publike, në mënyrë arrogante dhe të pakontrolluar”.

Kreu i shtetit thotë se viktima të kësaj sjelljeje janë të gjithë qytetarët shqiptarë pa dallime partiake. Më herët Meta u ka bërë apel palëve që të ulen në tryezën e dialogut për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën.

Tv Klan