lokali_CekesMbi 30 persona janë shoqëruar brenda 24 orëve pas shpërthimit të 500 gramëve eksploziv në kompleksin Grifon, pranë qyetetit Studenti në Tiranë një ditë më parë. Mes të shoqëruarve policia thotë se janë dhe persona me të cilët Armando Ceka kishte konflikte pasi u kishte shitur të njëjtën hyrje në apartamentet në ndërtim, 2 personave të ndryshëm. Shumë prej tyre janë klientë të cilët kanë dhënë paratë për bjerjen e një apartamenti në dy ndërtime, pronarë i të cilave figuron Armando Ceka, në rrugën Don Bosko dhe një tjetër pranë Selvisë, ndërtime ende të papërfunduara. Njëri prej të shoqëruarve ka dëshmuar se Armando Ceka i detyrohej një shume prej 800 mijë eurosh.

Paraprakisht mësohet se këtu është përqendruar dhe pista e hetimeve edhe nga ana e Prokurorise e cila po ndjek hetimet.

Pjesë e hetimit janë bërë dhe tabuatet e telefonit personal që përdorte Ceka pasi dyshohet se ditën e atentatit ai është thirrur në një takim sëbashku me juristin e tij në kompleksin që e administronte ai vetë.

Prokuroria e cila po ndjek hetimet e ngjarjes, ka nisur të mbledhë dëshmitë e protagonistëve të këtij atentati. I pari që ka mundur të japë deklarimin para prokurorit Blerim Tomonaj në ambjentet e repartit të traumës, ku gjenden të shtruar tre të plagosurit pas atentatit të djeshëm .

Ky është atentati i dytë që i bëhet Armando Cekës, pas atij të shtatorit të vitit të shkuar, ku i shpëtoi tentativës për ta eleminuar fizikisht pas një shpërthimi të mjetit të tij në rrugën Siri Kodra.