“30 vite në 13 minuta”, performanca spektakolare e Usher në Super Bowl


“30 vite në 13 minuta”, performanca spektakolare e Usher në Super Bowl

12:11 12/02/2024

Usher solli një shfaqje të vërtetë me hitet e tij në Super Bowl me ndihmën e artistëve si will.i.am, Alicia Keys, Ludacris dhe një palë patina.

Një njoftim i shfaqur përpara performancës paralajmëroi shikuesit se mund të shkaktonte “këndim, kërcim, djersitje, lëvizje të shpejta dhe probleme të mundshme dashurie” dhe duket se ia arriti qëllimit.

I veshur me të bardha dhe i rrethuar nga një grup kërcimtarësh energjikë, Usher u ngjit në skenën e Allegiant Stadium në Las Vegas dhe nisi me këngën e tij të parë, “Caught Up”. 45-vjeçari shfaqi gjatë 13 minutave në vazhdim aftësitë e tij të mahnitshme në kërcim dhe repertorin e pasur.

Përpara shfaqjes, Usher pranoi se kishte qenë “sfiduese që të përmblidhte 30 vite në 13 minuta”. Por këngëtari ia doli të bënte një punë fantastike duke kënduar sa më shumë që mundi prej hiteve të tij.

Në shfaqje kishte mjaftueshëm akrobatë dhe një bandë kaq të madhe që ishin rreshtuar për të formuar emrin “USHER”. Artisti këndoi strofën dhe refrenin për disa këngë, ndërsa të tjera vetëm për disa sekonda.

Pasi performanca kishte filluar të nxehej, Usher ia la vendin të ftuarës së tij të parë, Alicia Keys e cila u shfaq pas një pianoje të kuqe, e veshur edhe vetë me një kostum të tillë ndërsa këndoi hitin e saj “If I Ain’t Got You”. Dyshja vijoi me bashkëpunimin e tyre “My Boo” që ishte një nga momentet më të bukura të shfaqjes.

Pas largimit të Keys, koncerti vazhdoi me të ftuar të tjerë. Jermaine Dupri iu bashkua Usher për “Confessions Part II” dhe ia doli të bëhej viral pasi kostumi i ekspozonte këmbët.

Baladat ishin shkrirë me këngët ritmike duke i dhënë mundësi Usher që të merrte pak frymë, të tregonte vokalin dhe më pas, të hiqte bluzen. Në këngën “Burn”, skena u  ‘përfshi’ nga flakët e projektuara në platformën e rrumbullakët duke krijuar një pamje fantastike.

E ftuara e radhës ishte H.E.R. që rrëqethi me performancën në kitarë me “U Got It Bad” përpara se të niste me “Bad Girl” duke i dhënë kohë Usher që të ndërrohej. Këngëtari u kthye në skenë me një kostum të zi dhe blu me xixa për të performuar “OMG” me will.i.am. Në këmbë mbante patinat me të cilat ia doli të këndonte duke lëvizuar me shpejtësi dhe mos të rrëzohej.

I vetmi problem i këtij koncerti perfekt ishte numri i artistëve të ftuar në gjysmën e dytë, një situatë që thuajse nisi të funksionte në disavantazh të këngëtarit.

Bashkëpunimi i përfolur me Justin Bieber nuk u realizua, ndërsa Usher thuajse doli nga skena për shkak të këngëtarëve dhe kërcimtarëve që hynë në të. Lil Jon filloi të këndonte hitin e tij “Turn Down For What”, gjë që përgatiti fansat për atë që do të vinte më pas.

Me daljen e Ludacris, padurimi ishte në kulm. Trioja shpërtheu me hitin e karrierës së Usher, “Yeah!”/tvklan.al









Të ngjashme