Dy persona janë arrestuar në Korçë gjatë një aksioni të koduar “Perimetri” për goditjen e transportit të paligjshëm të refugjatëve.

Në pranga kanë rënë D.L. 24 vjeç nga fshati Gështenjas i Pogradecit dhe 30-vjeçari me iniciale B.M. nga Kurdistani i Irakut. Ndërkohë që një person i tretë me iniciale E.N. është shpallur në kërkim.

24-vjeçari D.L. u kap në aksin Korçë-Pogradec pranë fshatit Podgorie duke transportuar me furgon 9 emigrantë të paligjshëm.

Gjithashtu në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Grabovicë, u arrestua 30-vjeçari nga Iraku, i cili po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm.

Nga hetimet rezulton se dy rastet kanë lidhje dhe dy të arrestuarit bashkëpunonin me njëri-tjetrin.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim. /tvklan.al