Një efektiv policie mbeti i plagosur me thikë mbrëmjen e kësaj të shtune në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15, kohë kur patrulla e përgjithshme shkoi në lagjen “Guerile”, pas një njoftimi për dhunë në familje.

Por në momentin që efektivët shkuan në shtëpinë në fjalë, 30-vjeçari Petrit Isaj, kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë dhe plagosi lehtë me thikë në dorë e fytyrë një prej punonjësve.

30-vjeçari, i cili rezulton përdorues i lëndëve narkotike, u shoqërua fillimisht në spital ku iu injektua një qetësues, e më pas në komisariat.

Rreth orës 20:15, Patrulla e Përgjithshme ka shkuar  në lagjen “Guerile”, pasi ka marrë njoftim për një rast dhune në familje. Në momentin që punonjësit e Policisë kanë shkuar te banesa e shtetasit P. I, 30 vjeç, (person me precedent kriminal), ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë  dhe ka dëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë), në dorë dhe fytyrë një nga punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, Inspektor K. Ç.

Në mbështetje të Patrullës së Përgjithshme ka shkuar dhe një tjetër Patrullë e Përgjithshme duke neutralizuar shtetasin P. I, i cili u shoqërua në spital nga ekipi i urgjencës së spitalit i shoqëruar nga Patrulla e Përgjithshme. Pas kryerjes së injeksionit qetësues 30-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për sqarimin rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, thotë Policia e Shkodrës në një njoftim për mediat./tvklan.al