Jeta është plot sfida dhe vështirësi, por duhet të gjejmë kurajon të vazhdojmë përpara. Kështu ka vepruar edhe kjo mësuese 30-vjeçare, e cila ka një sëmundje gjenetike të quajtur “neurofibromatosis”, që do të thotë se nëpër nervat e trupit krijohen tumore të jashtme dhe të brendshme në formë nishanesh, por që nuk janë vdekjeprurëse.

Megan Crews thotë për “The Sun” se jeta është shumë e çmuar dhe duhet të jetohet ashtu siç vjen. Kjo sëmundje, që i ka mbuluar pothuajse gjithë trupin, nuk e ka mposhtur. Edhe pse shprehet se i ka krijuar probleme për të pasur një lidhje. Djemtë mendojnë se kjo sëmundje është ngjitëse dhe frikësohen. Por, Megan pohon se nuk ka asnjë rrezik për të tjerët. Ajo thotë se ka rreth 200 tumore të tilla në formë nishanesh në trup. Ajo është diagnostikuar me këtë sëmundje që kur ishte fëmijë.

Megan tregon se kur ishte 14 vjeç filloi të ndjente dhimbjet e para, sidomos nga turmoret në shpinë. Por, me kalimin e kohës mësohet me këtë gjendje. Ajo tregon se nuk i vjen turp për këtë sëmundje të saj dhe nuk e ka aspak problem që në sezonin veror të veshë rrobat e banjës. Për shkak edhe të profesionit të saj si mësuese, nxënësit janë kuriozë dhe e pyesin shpeshherë.

“Jam shumë e lumtur t’u përgjigjem pyetjeve të tyre. Me njerëzit që unë njoh, sikurse janë edhe kolegët, unë jam shumë e hapur dhe u shpjegoj përpara se të më pyesin ata”.

Sa i përket takimeve, Megan shprehet se jo të gjithë djemtë janë të ftohtë. Njëri prej tyre i kishte pëlqyer dhe tha se nuk e kishte problem sëmundjen e saj. Por, ka dhe nga ata që mendojnë ndryshe, për të cilët Megan thotë se zhduken sapo mësojnë të vërtetën. Pjesa që meshkujt i druhen më shumë, është fakti nëse kjo sëmundje është ngjitëse. Por, 30-vjeçarja shpjegon se “neurofibromatosis” është një sëmundje gjenetike, por shkaktohet edhe nga mutacionet.

/tvklan.al