30 vjet marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë


30 vjet marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë

16:11 24/07/2021

Aktivitet për marrëdhënien e Papa Klementit të XI me Shqipërinë

2021 është viti që shënon 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Marrëdhënie që shënuan dhe rinisjen e aktiviteteve fetare pas një shkëputjeje të dhunshme për disa dekada nga regjimi komunist. Pikërisht me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes se marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Vatikanit dhe 300-vjetorit të vdekjes së Papa Klementit me origjinë shqiptare, Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjte organizoi në Sallën Zuccari të Senatit italian, konferencën me titull “Papa Klementi dhe marrëdhëniet mes Vatikanit e Shqipërisë”.

I pranishëm ishte dhe kardinal Gianfranco Ravasi, president i Këshillit Papnor për Kulturën i Selisë së Shenjtë. Organizatorja e kësaj konference, kreu i ambasadës tonë në Vatikan Majlinda Dodaj, në fjalën e saj theksoi se kjo konferencë do të çelë siparin e disa aktiviteteve përgjatë këtij viti në 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Vatikan.                                 

“Këto manifestime hapen me Papa Klementin e 11, që udhëhoqi kishën katolike për 21 vjet, për të sjellë në vëmendje pikërisht marrëdhëniet e hershme mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Interesimin e Papa Klementit për popullin shqiptar dhe Shqipërinë asokohe të pushtuar nga otomanët, si dhe përpjekjet e tij për ruajtjen e gjuhës, fesë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve”.                                

Gjatë fjalës së kreut të ambasadës së Shqipërisë në Vatikan, znj. Dodaj, por dhe të pranishmëve të tjerë, u përmendën dhe momente të tjera të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe mes vendit tonë dhe Selisë së Shenjtë, që prej lidhjes së ngushtë mes Vatikanit dhe Skënderbeut, por dhe më pas, duke prekur vuajtjet e besimtarëve dhe klerikëve katolikë nën regjimin komunist si dhe shpresës që rilindi 30 vjet më parë kur besimi u rikthye sërish edhe mes shqiptarëve.                           

Në 30 vjet janë dy Papë që kanë vizituar Shqipërinë, theksoi Kreu i Ambasadës së Shqipërisë në Vatikan, Papa Gjon Pali dhe Papa Françesku. Nënë Tereza është shpallur Shenjtore dhe një prift shqiptar, Dom Ernest Simoni zgjidhet kardinal. Papa Françesku i do shqiptarët, dhe këtë e tregoi edhe në pritjen madhështore që u beri dhjetëra shqiptarëve brenda në Selinë e Shenjtë, duke kulmuar një seri aktivitetesh të organizuara vitet e fundit nga Ambasada e Shqipërisë në Vatikan.

Edhe presidenti i Këshillit Papnor për Kulturën, Kardinal Ravazi theksoi se rrënjët e lidhjes së fesë dhe kulturës së shqiptarëve janë të vjetra dhe vetë Papa Klementi i 11 u mundua t’i ruajë e promovojë.

“Prandaj është e rëndësishme kur themi që kush nuk kujton nuk jeton”, tha kardinal Ravazi, duke përshëndetur aktivitete si ky të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Vatikan. Një pikturë e takimit virtual mes Papa Klementit të 11 dhe Papa Françeskut, me autor piktorin e njohur me origjinë arbëresh Franko Axinari, ishte dhe përmbyllja e kësaj konference.

Tv Klan






Të ngjashme