Rama, në ceremoninë e organizuar në Selinë e Shenjtë

30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, në prag dhe të festive tona kombëtare është kujtuar me një ceremoni të organizuar nga drejtuesja e ambasadës tonë në Vatikan Majlinda Doda, në të cilën mori pjesë kryeministri Edi Rama me familjen e tij dhe ministrja e jashtme Olta Xhaçka.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe kardinali shqiptar Ernest Simoni dhe sekretari i shtetit i Shenjtërisë së tij, Papa Franceskut, Kardinali Pietro Parolini, vlerësimet për të cilin kryeministri nuk i kurseu.

“Midis këtyre punëtorëve të përunjur dhe largpamës, më lejoni të shtoj edhe ju Shkëlqesi. Për praninë tuaj jemi të nderuar! Në të gjitha rrethanat, nuk keni humbur asnjë mundësi për të treguar respekt, afërsi dhe dashuri ndaj Shqipërisë.

Këtu gjej rastin të ritheksoj publikisht atë që autoritetet shqiptare ju kanë thënë disa herë në takime pune e në takime miqësore: cilësia e marrëdhënieve tona i detyrohet shumë mençurisë së zgjedhjeve tuaja dhe frymës së bashkëpunimit që Shkëlqesia e Tij di të frymëzojë dhe ndajë”.

Kryeministri foli gjatë për vëmendjen e selisë së shenjtë për të mbështetur dhe ndihmuar Shqipërinë, reflektimi i se cilës thotë se është dhe vizita e Papa Francesku në Tiranë. Por ai u ndal edhe tek ajo që Shqipëria ka bërë për të ndihmuar njerëzit në nevojë, siç ishte vendimi për të mirëpritur refugjatët afganë që i ikën regjimit taleban, që u përshëndet edhe nga Ati i Shenjtë.

“Për ne është e rëndësishme jo vetëm të mirëpresim ata që janë në udhëkryq mes jetës dhe vdekjes, por mbi të gjitha t’i trajtojmë ata si anëtarë të familjes, në mënyrë që ata të ndihen qenie njerëzore në zotërim të plotë të dinjitetit të tyre dhe jo mbeturina të një qytetërim si yni, që njeh me mundim detyrat e veta kur ndjen që i prishet  komoditeti i vet”.

Edhe Kardinali Parolini e përshëndeti mikpritjen e afro 4 mijë afganeve, si dhe vlerësoi ecurinë e marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan në 30 vite dhe vetë zhvillimet që kanë ndodhur në vendin tonë.

“Dua të falenderoj Shqipërinë për mikpritjen që ju ofroi mijëra refugjatët të cilët përshkojnë ujërat e Ballkanit, dhe që siç e ka thënë papa Francesku nuk i mbyllen portat shpresave të tyre. Është një shembull i mire ky për të gjithë Europën”.

Në ceremoni kryeministri i ka dorëzuar Kardinalit Parolini dhe dekoratën më të lartë të dhënë nga ai, Kordoni i Madh me Yll “Benemerenti”, të modeluar me ngjyrat tona kombëtare dhe armët e Skënderbeut, “Atletit të Krishtit”.

Tv Klan