12 të proceduar në Velipojë dhe Pogradec

Në Velipojë dhe Pogradec qytetarëve u është rikthyer 3000 m2 plazh publik që ishte zaptuar në mënyrë të paligjshme nga pronarë të subjekteve të ndryshme. Aksioni është vijimësi e operacionit të Policisë së Shtetit “Plazh i lirë” që zhvillohet në të gjithë vendin.

Dymbëdhjetë pronarë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, nga të cilët 9 në Velipojë dhe 3 në Pogradec për veprat penale “fshehje e të ardhurave” dhe “zënia e hapësirave publike”.

Në Velipojë ishin zënë hapësira publike me çadra plazhi e shezlonë në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse. Ndërsa në Pogradec, tre persona nuk dispononin dokumentacion përkatës për një pjesë të shezlonëve.

Operacioni i policisë do të vijojë në gjithë zonën bregdetare për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme. /tvklan.al