Pas 32 ditësh pa viktima, koronavirusi i mori jetën këtë të mërkurë një 74-vjeçari nga Kurbini, duke e çuar numrin total ne 2457 viktima. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë pacienti po trajtohej në spitalin Infektiv, ndërkohë që nuk ishte i vaksinuar kundër Covid- 19.

Së fundmi vihet re edhe një rritje e numrit të pacientëve që kërkojnë hospitalizim. Aktualisht 17 persona po marrin shërbim të specializuar në Spitalin Covid 1 në kryeqytet, thuajse 3-fishi më shumë krahasuar me mesataren e muajit Korrik.

Edhe numri i infektimeve të reja me Sars Cov 2 vijon të rritet. Në 24 orët e fundit rezultuan mbartës të koronavirusit 30 persona, nga 3316 testime të kryera. Thuajse gjysma e tyre u konfirmuan në Tiranë. Për shkak të numrit të ulët të të shëruarve, rastet aktive kanë arritur në 321 persona në të gjithë vendin.

I vetmi qark që nuk ka asnjë pacient aktiv në territorin e tij është Dibra. Sipas ekspertëve kjo tendencë në rritje e infektimeve është ndikuar nga qarkullimi i variantit Delta edhe në Shqipëri.

Tv Klan