Inspektorati i Punës: 184 pësuan dëmtime gjatë 2022

Në Shqipëri çdo dy ditë një punëtor aksidentohet në vendin e punës. Sipas të dhënave të siguruara nga Tv Klan, 184 persona janë aksidentuar në punë përgjatë vitit 2022, ndërsa 32 kanë humbur jetën.

Aksidentet me pasojë vdekje në punë kanë si shkak kryesor rënien nga lartësia, moszbatimin e rregullores së sigurimit teknik apo dhe kontaktin me energjinë elektrike.

Fatalitetet janë regjistruar gjatë punëve në ndërtim, ndërmarrje prodhuese, miniera si dhe ne disa sektorë të tjerë. Ndërsa aksidentet më të shumta kanë ndodhur në ndërmarrje prodhuese, pasuar nga miniera dhe ndërtimi.

Për përfaqësuesit e sindikatave, punonjësit duhet të mos neglizhojnë rastet kur punojnë në kushte të pasigurta.

“Problemi nuk është vetëm i punëdhënësve, ata janë të parët por problem është edhe i punëmarrësve, të cilët duhet të jenë informuar për të drejtat e tyre. Punonjësit të cilët janë në fronte të vështira punë, në vinçe, në kantiere detare, nëpër miniera, të jenë të sigurt pastaj të shkojnë në punë.”

Në 3 vitet e fundit  në Shqipëri për çdo vit raportohen mbi 180 të aksidentuar.

Tv Klan