Mbrëmjen e kësaj të Enjteje në “Opinion” është diskutuar mbi seancën e sotme parlamentare. Sipas analistit Baton Haxhiu deputetët e opozitës duhet të kenë një simbolikë kur kryejnë veprime të tilla në sallën e Kuvendit, duke marrë përsipër dhe rrezikimin e jetës së tyre politike.
Ndërsa deputeti i PD Ervin Salianji iu përgjigj duke thënë se gjithë thelbi i kësaj situate në seanca është shkelja e të drejtave kushtetuese të deputetëve.
Ervin Salianji: Ju merrni këtu të drejtën për të thënë se kush është i sinqerti, kush është i pasinqerti. Kush është argumenti këtu? Ju thoni “jeni idhnu”, jo mo jo ne kemi një gjë tjetër. Unë personalisht jam i revoltuar dhe i idhnuar nëse do ti sepse nuk po zbatohet Kushtetuta.
Baton Haxhiu: 21:40 (ora), 32 minuta ke fol. Po deshe intervistë, po çohemi dhe rri me Fevzon.
Blendi Fevziu- Baton Haxhiut: Vazhdo, vazhdo…
Baton Haxhiu: Unë e respektoj një deputet i cili e ka brutalitetin në një moment të historisë së tij politike brenda Parlamentit dhe thotë “po kundërshtoj për shkak se nuk formohen komisionet parlamentare dhe ky parlamentarizëm ka vdekur”, kjo është simbolika ime. Jo të thotë “për shkak të mbledhjes në orën 9”, s’ka lidhje. Esenca është kjo, e para lidershipi në PD mungon, kjo është beteja, kjo simbolikë e jotja është një lloj beteje për një lidership të së ardhmes. Ky është mendimi im dhe pikë. Nuk shkon asnjë deputet deri në këtë pikë të brutalitetit ku rrezikon gjithë jetën politike të tij dhe irriton njerëzit, për të bërë një simbolikë. Përtej kësaj ka disa elementë të tjerë. Ju e keni një lider që është i akuzuar nga SPAK dhe non grata. E dini që ka vdekur. Nën hetim nga SPAK-u, e dini që ai i ka ditët e numëruara në politikë. E kuptoj betejën tuaj për lidership.
Ervin Salianji: Nëse më lejon…Nuk e di a thuhet kështu në Kosovë, ç’lidhje ka kjo me rritjen e çmimit të sheqerit. Është një formë e të thënit. Ore, kjo nuk ka lidhje me rritjen e çmimit të sheqerit. Pyetja dhe thelbi është këtu: a kemi të drejtë aty? Ju thatë një të vërtetë, a ta certefikoj unë? Ju folët të vërtetët tuaj në lidhje me mua. Do debat?
Baton Haxhiu: Ja ma sqaro, pse 3 flakadanë në dorë ti? Pse??
Ervin Salianji: Ja po ta them.
Baton Haxhiu: Si është e mundur që t’u gjendën?
Ervin Salianji: E patë që m’i sollën apo jo? Ishte në publik. Më sollën flakadanë deputetë të tjerë për shkak se kisha 15 minuta që kërkoja fjalën për procedurë.
Baton Haxhiu: Dhe me flakadanë?!
Ervin Salianji: Me çdo formë, sepse kur të mohojnë të drejtën kushtetuese, do përdorësh çdo formë. Regjimet kështu janë rrëzu mor, se po të ishte për ligj s’ishte rrëzu asnjë regjim. Ju mendoni me kaq? Kaq, s’është asgjë! Ju e quani formë brutale, ma lëni mua atë kosto./tvklan.al