Interpol Tirana në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadën e SHBA në Tiranë, ka ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës një 32-vjeçar të dënuar për falsifikim të dokumenteve.

32-vjeçari me iniciale D.M. nga Elbasani ka kryer edhe 5 vite burgim në SHBA për vjedhje me armë të kryer në bashkëpunim. Për këtë vepër, ai u dënua nga Gjykata e Illinois në 11 Maj 2015.

Kurse në Shqipëri, 32-vjeçari është i dënuar në mungesë me 9 muaj burgim nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve.

Pas dënimit në mungesë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u ekstradua në Shqipëri mbrëmjen e së enjtes nga Interpol Tirana dhe Shërbimi Diplomatik i ambasadës amerikane. /tvklan.al