Një 32-vjeçar grek, autor i një vrasjeje në shtetin helen është vënë në pranga në Shqipëri dhe ekstraduar në Greqi. Mësohet se ky person është 32 vjeç, por identiteti i tij nuk është bërë i ditur në mediat helene. I riu vrau një punonjës të një Qendre Shëndetësore në Kalivia. Ai ka folur para autoriteteve dhe është shprehur se gjithçka e ka bërë sepse mendonte se viktima i kishte bërë magji.

Provat nga vendi i ngjarjes kishin treguar se ai dhe punonjësi i qendrës shëndetësore ishin të afërt me njëri tjetrin. “Në një pikë të caktuar kuptova se D dhe E përdornin magji për të na shkatërruar. Hidhnin pluhur, vaj dhe fije në makinë, ballkon, shtëpi dhe në shkallë. Kur e kuptova që magjia e tyre kishte efekt ishte rreth Tetorit të 2020-ës. Fillova të humb peshë dhe nuk mund të flija gjatë natës”, ka thënë ai.

I riu ka treguar edhe se si ndodhi vrasja. “U afrova, hapa derën e shoferit dhe e qëllova tre herë me pistoletë. Më pas shkova tek makina ime dhe u largova me shpejtësi”, tha ai. 32-vjeçari ka zbuluar se e ka blerë armën në Mendini. Kur ka shkuar të kryejë vrasjen, i riu ka hequr nga makina targën. Pas kësaj ngjarje, ai është larguar me të ëmën për në Shqipëri. Gjithë këtë kohë, ai fshihej në vendin tonë derisa policia zbuloi se ai qëndronte në mënyrë të jashtëligjshme./tvklan.al