Ministria e Bujqësisë: Të gjitha rastet shpendë oborri, po monitorojmë situatën

320 shpendë kanë ngordhur si pasojë e virusit të gripit H5N8 në Shqipëri në tre vatra të shpërndara në të gjithë vendin.

Sipas Autoritetit të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve rastet e konstatuara në 3 vatrat Bujan, Fushë Krujë dhe Dajt, kanë qenë të gjithë shpendë oborri të llojit pulë fushe, pëllumba, rosa, pata dhe gjela deti.

Drejtorja e këtij autoriteti Tana Kika thotë se janë arritur të shpëtohen 450 shpendë që ishin në kontakt me zogjtë e ngordhur.

“Të gjitha rastet janë në vende ku rritin kafshët në oborret e shtëpive. Në një oborr kanë ngordhur të 70 shpendët, në një tjetër të 130 që ishin dhe tek një oborr kanë ngordhur 120 dhe kemi arritur të shpëtojmë 450 të tjerë.”

Për momentin nuk ka vatra të tjera të dyshuara, ndërsa situata është nën monitorim të rreptë nga veterinerët e shpërndarë në terren. Perimetri i sigurisë është vendosur 3 kilometra larg oborreve që është shpërndarë virusi i gripit, ndërsa survejimi po bëhet në një rreth prej 10 kilometrash distancë.

“Veterinerët janë në terren për të marrë mostra për raste të dyshuara, aktualisht nuk kemi dyshime konkrete por kemi vendosur protokollet e sigurisë në distancën 3 dhe 10 kilometra për survejimin e kafshëve që kanë patur kontakt.”

Zv/ministri i Bujqësisë ka njoftuar nga Lushnja se ka nisur ndërkohë kontrolli it ë gjitha pularive në Shqipëri, ndërsa kompanive u është kërkuar të plotësojnë një protokoll sigurie.

“Ka nisur kontrolli në të gjithë vendin i pularive, kompanitë janë thirrur në takim dhe u është dhënë protokolli se sit ë veprojnë. Zonat e prekura janë future në izolim.”

Dyshimet e para se nga ka ardhur virusi janë për vendet e rajonit, duke qenë se virusi H5N8 është i përhapur në shtetet kufitare me Shqipërinë, ndërsa infektimi mund të jetë bërë nga zogjtë e egër shtegtarë. Rreziku kryesor për autoritetet është përhapja e epidemisë në shpendët në të gjithë territorin, ndërsa do të vijohet të bllokohet importi nga vendet me raste pozitive edhe pas konstatimeve që janë bërë në territorin e Shqipërisë. Për momentin është ndaluar importi nga 17 shtete. 

Tv Klan