Peshimi i drogës së gjetur një ditë më parë në këtë kamion në Portin e Durrësit zbuloi bëhej fjalë për 324 kilogramë e 400 gram kokainë. Ajo ishte fshehur në serbatorin e automjetit që kishte hyrë tranzit nga Maqedonia e Veriut nëpërmjet pikës doganore të Qafë Thanës.

Droga ishte e ndarë në rreth 300 pako me peshë të ndryshme të cilat kishin të stampuara logo të markave të njohura të parfumeve, uiskit brazilian apo klubeve të sportit si PSG apo Chicago Bulls.

Kjo është një mënyrë që përdorin trafikantët për të identifikuar porositësit e drogës. Hetuesit kanë marrë në pyetje shoferin e kamionit që u vendos menjëherë në pranga.

40-vjeçari nga Maqedonia e Veriut Nazif Ajrofski ka mohuar të kishte dijeni për lëndën narkotike. Ai ka këmbëngulur se po transportonte hekur në një ngarkesë që ishte nisur nga Belgjika drejt Serbisë, nga aty në Maqedoninë e Veriut dhe më pas nëpërmjet Portit të Durrësit do të mbërrinte në Napoli të Italisë.

Për shkak se kamioni ka kaluar pa probleme në disa pika doganore hetuesit janë duke u fokusuar të zbardhin se ku u ngarkua lënda narkotike. Duke qenë se në doganën e Qafë Thanës kamioni iu nënshtrua skanerit dhe rezultoi i pastër, dyshohet se droga u vendos në Shqipëri gjatë 2 ditëve të qëndrimit në Tiranë.

Për këtë shkak po verifikohet i gjithë itinerari i ndjekur nga kamioni. Burimet i thanë Tv Klan se për këtë ngarkesë të madhe droge nuk ka pasur informacione të mëparshme dhe se ai është zbuluar nga një kontroll rutinë në bazë të analizës së riskut.

Tv Klan