Komisioni i Vlerësimit skualifikon 30% të grupit parlamentar nga gara

326 kandidatë për deputetë dhe kryetar bashkie të përzgjedhur nga Komisioni i Vlerësimit në Partinë Demokratike tashmë pritet të shqyrtohen edhe nga kryesia dhe Këshilli Kombëtar, që përmes votës do të thonë fjalën e fundit për 150 emrat që do jenë pjesë e garës elektorale të 25 Prillit.

Nga burime pranë selisë blu mësohet se 30% e ish-deputetëve që kanë qenë në listën e Partisë Demokratike në vitin 2017 nuk kanë mundur të marrin votëbesimin dhe pëlqimin e anëtarësisë dhe as atë të Komisionit të Vlerësimit, për të qenë pjesë e skuadrës me të cilën Lulzim Basha do të përballet në garën elektorale të 25 prillit.

Ndonëse zyrtarisht Partia Demokratike nuk ka zbardhur listën e plotë të emrave të kandidatëve fitues, TV Klan ka mësuar se janë disa ish-deputetë ata që  janë skualifikuar nga 5 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit, për shkak të mos përmbushjes së disa prej kritereve politike.

Bëhet fjalë për deputetë, si dhe ish-ministra që pavarësisht se morën mbështetjen e bazës, “ngelën” në klasë pas filtrit të fundit që kaluan nga Komisioni i Vlerësimit.

Më herët gjatë votimeve, anëtarësia e Partisë Demokratike skualifikoi edhe ish-deputetët Klevis Balliu Astrit Veliaj, Hekuran Hoxhalli, si dhe tre ish-kryebashkiakë, atë të Kukësit, Tropojës e Pogradecit.

80% e kandidatëve do të jenë nga lista me 326 emrat e votuar nga anëtarësia. Sakaq kryesia ka të drejtë të propozojë deri në 20% të emrave të listës finale, pjesë e së cilës do të  jenë figura me peshë politike në radhët e demokratëve, si dhe përfaqësues nga ish të përndjekurit politik dhe ish-pronarët.

Tv Klan