Në vendin, ku një natë më parë u zbrazën të paktën 33 gëzhoja, jetojnë 6 familje, dy anëtarë të së cilës janë pjesë e trupës së policisë. Bëhet fjalë për familjen Pjetri, e cila mbrëmjen e së martës ra pre e plumbave, që prekën jo vetëm lokalin në pronësi të tyre, por edhe një automjet të përkuar brenda rrethimit. Vlash Pjetri, një prej vëllezërve, tregon për gazetarët ngjarjen.

“Si familje kemi qenë të gjithë në shtëpitë tona. Lokali kishte rreth 1 orë që ishte i mbyllur. Errësira ka bërë punën e vet… Kemi dëgjuar krismat, kur kemi dalë, paraprakisht dolëm të shihnim lokali, ishte i dëmtuar. Policia e Shtetit erdhi në vendngjarje në momentin që u njoftua. Kur e kanë thirrur vëllain, që është efektiv i Shqiponjave, me dhënë deklarim, kemi parë makinën… se nuk na shkoi mendja tek makina. Makina ishte në parkim brenda rrethimit, është goditur. Kanë hapur portën, sepse ka qenë pa çelës, sepse ne jemi 6 familje këtu, kanë hapur portën dhe kanë goditur edhe makinën. Kaq dimë për momentin. Dyshimet nuk di nëse i kemi bërë kujt borxh, ne kemi parë punën tonë të gjithë si familje, kemi punuar dhe jetojmë me djersën e ballit, pavarësisht punës së shtetit që bën vëllai, qoftë vëllai i madh që është me patrullat, qoftë vëllai i vogël që është efektiv i Shqiponjave. Për më gjatë nuk mund të ngremë dyshime, sepse këto i përkasin organeve hetimore, iu përkasin Policisë së Shtetit, të bëjnë punën e vet. Për punën që ka bërë im vëlla nuk e di, nuk mund të shprehem dhe as nuk mund të prononcohem sepse janë punët e policisë, i dinë ata vetë dhe nuk…”

Vlash Pjetri mohon konfliktet me persona të tjerë dhe shpjegon se përse nuk kanë kamera sigurie. Megjithatë, dyshimet edhe si familje i kanë tek puna e vëllait të tyre, Alfred Pjetrit, efektiv i forcave Shqiponja dhe ndalimit që i kishte bërë disa ditë më parë, gjatë kohës që ishte në shërbim, një prej autorëve të dyshuar.

“Absolutisht asnjë prej familjes nuk ka pasur. Asnjë konflikt përveçse vëllai që punon me Shqiponjat, dihet puna e tyre, është pak punë që ndoshta mund të pretendojë ndokush që ka pasur konflikte, ose ka pasur gjë me ta… por pjesa tjetër, e vëllait tim që punon qoftë te lokali këtu, qoftë te lokali në Bahçallëk, nuk kemi pasur asnjë gjë, absolutisht me askënd. Qoftë edhe unë për shkak të detyrës që kam qenë administrator i njësisë Rrethina për afro 5 vjet, absolutisht asnjë gjë nuk kemi pasur me askënd. Tani ia lemë në dorë organeve hetimore sepse dyshimet nuk ke sesi, ose nuk mund të akuzosh asnjeri kur nuk ke fakte. Lokali nuk ka pasur kamera sigurie, sepse ne jemi familje rreth e rrotull dhe e kemi ruajtur vetë çdo gjë. Kur je i qetë dhe je në punë tënde, dihet që nuk kemi pritur gjë prej kujt, ndaj s’kemi vënë kamera sigurie. Indicie ka nga më të ndryshmet, por sesa është e saktë kjo mbetet për t’u vërtetuar. Goditja edhe kërcënimi ka qenë për shkak të detyrës të vëllai që është te Shqiponja, kjo na çon, sepse pjesa tjetër ne jemi në punën tonë dhe s’i kemi lënë vend kujt që të arrijmë në këtë pikë. Nuk e di që ka pasur probleme madhore, mund të ketë ndaluar ndonjë makinë për kontroll letrash, por nuk do të thotë që me mbërritur në këtë pikë”.

4 persona morën pjesë në sulmin me armë të ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Dobraç të Shkodrës. Ata janë Rivaldo Planaj, Orlando Planaj, Bardhok Planaj dhe Mirsad Shpellzaj. Nga ngjarja pati vetëm dëme materiale, siç mund të dallohet edhe në pamjet më lart.

Burime për tvklan.al thonë se Alfred Pjetri, efektiv i forcave Shqiponja ditët e fundit kishte ndaluar Rivaldo Planajn. Ky i fundit tentoi të mos i bindej policisë dhe debatoi me efektivin Pjetri, i cili i sekuestroi makinën./tvklan.al