Gjatë 9 mujorit të parë të vitit janë shtuar mbi 1900 kontribuues

Interesi i shqiptarëve për të investuar për një pension privat në pleqëri është rritur ndjeshëm gjatë këtij viti. 

Të dhënat e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se numri i kontribuuesve në fund të muajit Shtator arriti në 32,932, me një rritje prej 6.16% që nga fillimi i vitit.

Gjatë vitit 2021, këtyre fondeve u janë shtuar më shumë se 1900 kontribuues.

Pavarësisht se numri i anëtarëve në fondet private ka vijuar të rritet edhe në periudhën e pandemisë, më pak se 2.7% e numrit total të të punësuarve në Shqipëri investojnë në një pension privat.

Për sa i takon vlerës së aseteve neto, ritmet e rritjes paraqiten edhe më të larta. Vlera e tyre në fund të muajit Shtator të këtij viti arriti në 4.28 miliardë Lekë ose rreth 35 milionë Euro, në rritje me 18.9% që nga fillimi i këtij viti.

Tregu i pensioneve private në Shqipëri është ende i ri dhe zgjerimi i mirëfilltë i fondeve nisi vetëm një dekadë më parë, pas hyrjes së investitorëve me përvojë nga tregu bankar dhe ai i sigurimeve.

Sipas AMF në tregun e pensioneve private vullnetare ushtrojnë aktivitetin e tyre katër fonde pensioni. Rreth 56% e numrit të përgjithshëm të anëtarëve janë të përfshirë në plane individuale të pensionit vullnetar, ndërsa rreth 44% e tyre në plane profesionale të krijuara nga punëdhënësit për punonjësit e tyre.

Klan News