I infektuar edhe një prej mjekëve në spitalin e Durrësit

24 orët e fundit janë shtuar rastet me koronavirus, duke e çuar në 33 totalin e të prekurve, si dhe duke zgjeruar hartën e qyteteve ku janë të infektuarit.

Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat: 8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina) 25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi. Tiranë 19 raste, Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë) Lushnje 1 rast Elbasan 2 raste Fier 4 raste Rrogozhinë 2 raste”, njoftoi zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Instituti i Shëndetit Publik ka ritestuar mjekët e spitalit të Durrësit, ku tre ditë më parë u shënua dhe viktima e parë nga koronavirusi.

“Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej”, tha Rakacolli.

Gjendja e pacientëve në Shërbimin Infektiv është e mirë. Kjo u konfirmua edhe gjatë një komunikimi online që ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu beri me mjekët që po e ofrojnë këtë shërbim.

“Tre të parët janë përmirësuar, të tjerët janë stabël”, deklaroi Rakacolli.

Duke qenë në kushtet e pandemisë ekspertët kërkojnë që të respektohen rregullat e përcaktuar për të shmangur përhapjen e virusit.

“OBSH ka shpallur pandeminë nga koronavirusi i ri që do të thotë se bota ka transmetim komunitar në më shumë se 2 kontinente. Kjo është një situatë që duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat që janë marrë për distancimin social duhet të merren me seriozitet. Ne do të vazhdojmë me gjurmimin e rasteve në terren dhe nuk është e nevojshme që çdo person të testohet”,

Ekspertët e shëndetësisë po vijojnë me gjurmimin  e kontakteve të rasteve të infektuarve ndërsa vijojnë të kërkojnë qëndrimin në shtëpi për të gjithë ata që nuk kanë nevoja jetike.

Tv Klan