Në fund të vitit 2023, individët në vend kishin të hapura gjithsej mbi 2 milionë 664 mijë llogari bankare. Sipas të dhënave nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në këto llogari bankare kishte gjithsej 1.2 trilionë Lekë.

Por, pjesa më e madhe e këtyre llogarive të hapura nga individët, pra mbi 898 mijë janë bosh, pasi kanë një balancë 0 deri në 100 lekë dhe në total përbëjnë rreth 34% të depozituesve.

Në sistemin bankar ka shumë depozitues të tjerë të vegjël, mbi 1 milion 646 mijë depozitues të cilët kanë në llogaritë e tyre nga 100 deri në 2.5 milionë Lekë, që është niveli i mbulimit të plotë të depozitave nga sigurimi.

Sipas përpunimit të të dhënave nga Monitor, këto llogari përbëjnë 61.8% të totalit të tepozitave nga individët. Shuma e depozitave që u korrespondon këtyre depozituesve arriti vlerën 509 miliardë Lekë, ose 42% të vlerës totale.

Një pakicë e depozituesve zotërojnë pjesën më të madhe të kursimeve në banka. Sipas Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, janë 119,623 depozitues individë, kursimet e të cilëve janë më të mëdha sesa 2.5 milionë lekë, ose 4.5% e numrit total të depozituesve.

Kjo pakicë individësh, në vlerë monetare përbën 58% të shumës së depozituar në banka. Shuma e depozitave të tyre deri në Dhejtor 2023, arriti vlerën mbi 698 miliardë Lekë.

Peshën më të madhe të depozitave të sigurueshme të individëve e zënë depozitat në Lekë me 48%, ndjekur nga depozitat në Euro, me 46%.

Klan News