BSH, marrëveshje me MB dhe Prokurorinë për luftimin e fenomenit

343 kartmonedha nga 157 milionë copë janë identifikuar si të falsifikuara gjatë vitit 2022. Hedhja në treg e kartëmonedhave të reja me elemente më të larta të sigurisë sipas Bankës së Shqipërisë ka ulur numrin e monedhave të falsifikuara në qarkullim.

Megjithatë për të frenuar më tej këtë fenomen,  Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Përgjithshme.

“Pavarësisht shifrave të ulëta, ne jemi të vëtëdijshëm se duhet të jemi më vigjilent, pasi falsifikuesit përpiqen të ecin me hapin e teknologjive të reja për aktivitetin e tyre”, tha guvernatori Sejko.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria përmes marrëveshjes së nënshkruar me Bankën e Shqipërisë synojnë të rrisin identifikimin e rasteve dhe marrjen e masave parandaluese në kohë.

“Sot në Policinë e Shtetit është krijuar zyra qëndrore kundër falsifikimit të monedhave. Do ndihmojmë shumë në dokumentimin e sasive të konfiskuara dhe një lloj baze të dhënash për makineritë që përdoren”, u shpreh ministri Bledi Çuçi.

“Në 5 vitet e e fundit ka një rënie të procedimeve penale”, deklaroi prokurori i përgjithshëm Olsian Çela.

Nga monedhat metalike, sipas Bankës së Shqipërisë prerja 50 Lek është e vetmja që rezulton e falsifikuar, me 79 copë për vitin 2022.

Tv Klan