63 viktima dhe numër i lartë të shtruarish në spitale

Maqedonia e Veriut, në javën që po e lëmë pas, ka shënuar shifra të frikshme me infektime të reja dhe të viktimave. Sipas bilancit të publikuar nga autoritetet shëndetësore nga e hëna deri të premten shënohen 3451 raste të reja me COVID-19 dhe madje 63 viktima. Rajonet më të goditura me infektime vijojnë të mbeten Shkupi, Tetova, Prilepi e Strumica.

Shqetësuese paraqiten edhe njoftimet për moshën e viktimave si pasojë e COVID-19. Gjatë javës u raportua për viktima të moshës 30 deri 40 vjeç, që nuk kishin patur sëmundje shoqëruese, kurse këtë të shtunë njoftohet edhe për një 27-vjeçar nga Likova e Kumanovës që ka humbur betejën me COVID-19.

Në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masat e reja, që nënkuptojnë mbajtjen e maskave në ambiente të hapura, ndalimin e grupimeve në vendet publike të më shumë se 4 personave pas orës 22.00, kurse lokalet punojnë deri ora 23.00. Ndryshimet ligjore u kanë dhënë më shumë ingerenca inspektorateve, të cilët në vendngjarje mund të mbyllin lokalet nëse shkelin protokollet shëndetësore.

Dita – ditës rritet edhe numri I rasteve aktive me koronavirus që tashmë ka tejkaluar shifrën  prej 9.000 kurse covid-spitalet e vendit janë nën presion të madh për shkak të mbingarkesës. Akomodimi I pacientëve krahas në spitalin mobil ka filluar edhe në reparte tjera të spitaleve.   

Tv Klan