45 të mbijetuar janë nxjerrë nga rrënojat, 700 paslëkundje

Kjo grua është ndër të mbijetuarit e radhës së tërmetit të fuqishëm të magnitudës 6.8 të shkallës Rihter që goditi lindjen e Turqisë, mbrëmjen e së premtes. Ajo u nxorr nga rrënojat 28 orë pas lëkundjeve që rrafshuan pallatin ku banonte në Elazig, qyteza më e goditur. Pak orë përpara u nxorr e gjallë nga ekipet e emergjencës edhe vajza e saj 2 vjeçe e gjysmë.

Siç njoftoi edhe Presidenti turk në një konferencë për shtyp, numri i viktimave nga tërmeti është shtuar në 35, dhe 45 ai i personave të nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Ekipet e emergjencës janë në luftë me kohën, pasi në disfavor të tyre janë edhe temperaturat që arrijnë deri minus 5 gradë Celsius, çka mund të përkeqësojnë gjendjen shëndetësore të personave që mund të jenë ende gjallë nën rrënoja.

Në operacionet e shpëtimit janë angazhuar mbi 3500 ekspertë, ndërsa deri më tani janë regjistruar rreth 700 paslëkundje. Nga tërmeti janë shkatërruar 76 ndërtesa dhe mbi 1800 të tjera janë dëmtuar, ndërsa autoritetet kanë ngritur 9500 tenda për strehimin e personave të mbetur pa strehë.

Elazigu është goditur edhe 10 vite më parë nga një tjetër tërmet i fuqishëm i magnitudës 6 të shkallës Rihter që u mori jetën 51 personave.

Tv Klan